Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Fokusi” me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në fund të të cilit u asgjësuan mbi 3500 bimë kanabisi, si dhe u ndaluan disa persona.
Operacioni u shtri në terrene malore të Lezhës, Shkodrës, Krujës dhe Tropojës dhe në të u angazhuan 1000 punonjës policie dhe 25 dronë për 3 ditë me radhë.
Njoftimi i Policisë
3543 bimë të tjera narkotike cannabis sativa u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Ndalohet një autor i dyshuar për disa raste kultivimi në Kurbin dhe procedohet penalisht për shpërdorim të detyrës, kryetari i një fshati në Kukës.
878 bimë u asgjësuan në territorin e bashkive Lezhë, Mirditë dhe Kurbin, si rezultat i fazës së 34-t të operacionit “Imazhi”.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe procedurale, Policia identifikoi dhe vuri në pranga autorin e dyshuar të kultivimit të 219 bimëve të asgjësuara në kuadër të fazave të mëparshme të operacionit “Imazhi”, shtetasin B. A., banues në Milot. Shtetasi B. A. i kishte kultivuar bimët narkotike, në sipërfaqe të ndryshme, në fshatin Malbardhë, Kurbin.
1932 bimë u asgjësuan në territorin e bashkive Shkodër dhe Vau i Dejës, si rezultat i fazës së 14 të operacionit “Alpe të pastra”.
688 bimë u asgjësuan në malësinë e Krujës, si rezultat i fazës së 36 të operacionit “Territor i pastër”.
45 bimë u asgjësuan në fshatin Breg Lumë, Tropojë, si rezultat i fazës së 8 të operacionit “Bjeshkët e Nemuna”. Kryetari i këtij fshati u procedua penalisht, për shpërdorim të detyrës.
Ndërkaq, Policia në qarqe, në drejtimin e prokurorive përkatëse, vijon hetimet me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.