Tregu imobiliar në Shqipëri ka qenë prej kohësh investim tërheqës për të huajt; çmime të ulëta dhe klimë e mirë, duke u bërë kështu faktor me rëndësi për këtë sektor, sidomos në periudha atrofizimi.
Në zërin e investimeve të huaja që raporton Banka e Shqipërisë, blerjet në pasuritë e patundshme zënë 23% të totalit për 2022-shin. Në fund të të njëjtit vit, stoku i këtyre investimeve kaluan vlerën e 1.3 mld eurove. Banka tregon se nga blerësit, vetëm 1/3 janë rezidentë të BE-së.
Enxhi Mansaku, brokere nga kompania e real estate “Future Home” tregon për Gazetasi.al, se tashmë nuk janë vetëm emigrantët që kthehen të blejnë prona në Shqipëri, por edhe të huajt. Më të interesuarit janë shtetasit e Europës veriore dhe qendrore, kryesisht polakë dhe çekë.
“Interesi për pasuri të patundshme mbetet për apartamentet e vogla në breg të detit dhe kryesisht nga polakët dhe çeket ,si fillim paraqiten me kërkesa për aparatmente me sipërfaqe të vogla dhe buxhet kryesisht deri në 40-50 mijë euro. Këtu është interesi më i madh, por ka kërkesa të mëdha për të gjitha zonat bregdetare në Shqipëri, sigurisht dhe jugu siç është Vlora dhe Saranda”, shpjegon Mansaku.
Gjatë vitit të shkuar, ka pasur dhe një rritje të konsiderueshme të ukrainasve që kanë blerë prona në Shqipëri.
Më tej, Mansaku thekson se Durrësi mbetet më i preferuari i investitorëve të huaj dhe pritet të shtohet interesi.
“Durrësi është tërheqës për çmimin relativisht të ulët krahasuar me jugun, për vijën më të gjatë bregdetare që mund të presë një numër të konsiderueshëm pushuesish dhe nje volum te larte pronash ne shitje, dhe për aksesin më të lehtë” – thotë Mansaku teksa shton se projekti i “Durrës Yacht & Marina” do ta bëjë Durrësin një treg të gjerë ndërkombëtar.
Tregu imobiliar në vend ka treguar se është mjaft delikat ndaj ndryshimeve në sjelljen konsumatore apo peizazhit ekonomik, por mbi të gjitha ka treguar se ka “hapësirë për të gjithë”.
Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave në Shqipëri, DPPP, ka vite që raporton se një ndër mënyrat më të përhapura të larjes së parave në vend është pikërisht sektori i pasurive të patundshmë. Përfshirë edhe të huaj.
Për vitin 2022, DPPP raportoi se ka zbuluar dhjetëra raste ku rezidentë të huaj (jo domosdoshmërisht shtetas të huaj) blejnë prona në Shqipëri me para që vijnë nga jashtë, me justifikimin e kredisë apo remitancave.
Gjithsesi për tremujorin e parë 2023, BSH raportoi se ka pasur një rënie të peshës së pasurive të paluajtshme në investimet e huaja direkte. Në periudhën janar-mars 2023, IHD-të në pasuri të paluajtshme përbënin 16% të totalit nga 22% që ishin një vit më parë. Vlera e investimeve raportohet në 49 mln euro./si