Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka reaguar pas vdekjes së 17-vjeçarit që punonte si kamarrier në një lokal në Sarandë.
ISHMT përmes një njoftimi zyrtar bën me dije se aksidenti i ndodhur në lokal nuk ka ardhur si pasojë e defektit në ashensor por një pajisje e përshtatur për transport mallrash nga biznesi.
Njoftimi i plotë:
Në lidhje me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme datë 26.08.2023 në subjektin “Orange”, Sarandë, ku një i ri 17-vjeçar humbi jetën, Inspektorati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut pasi ka kryer verifikimet në terren, informon se:
Pajisja e përshtatur për transport mallrash nga subjekti, e cila ka pësuar defekt nuk është ashensor.
Si rrjedhojë, ISHMT nuk ka kryer inspektime apo kontrolle pranë këtij subjekti, bazuar kjo në detyrimin e përputhshmërisë së instalimit të vendosur në shërbim nga personi përgjegjës, pasi nuk është brenda kompetencës ligjore të tij.
ISHMT shpreh keqardhje për aksidentin tragjik dhe i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së të riut./m.j