Presidenti rus Vladimir Putin pritet të zhvillojë së shpejti bisedime me presidentin e Turqisë Erdogan, tha Kremlini të premten, teksa Ankaraja po përpiqet të bindë Moskën që t’i kthehet marrëveshjes së grurit të Detit të Zi.
Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara në korrik 2022 për të ndihmuar në zbutjen e një krize globale ushqimore, lejoi dërgesat e grurit nga portet e Detit të Zi të Ukrainës.
Megjithatë, Moska u largua nga marrëveshja muajin e kaluar, duke u ankuar se një marrëveshje për të lehtësuar eksportet ruse të grurit dhe plehrave nuk po zbatohej, raporton Reuters.
I pyetur në lidhje me ftesën e Erdoganit drejtuar Putinit për të vizituar Turqinë për të diskutuar marrëveshjen dhe çështje të tjera të ngutshme, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha:
“Ka një mirëkuptim që ky takim do të zhvillohet së shpejti. Ne zakonisht sinkronizojmë njoftimet për vizita të tilla me vendet tona partnere. Ne do të njoftojmë së shpejti se kur dhe ku do të bëhet. Takimi është duke u përgatitur dhe po përgatitet shumë tërësisht”.
Në një telefonatë të bërë mes Putin dhe Erdogan më 2 gusht, Presidenti rust ha se Moska ishte e gatshme t’i rikthehej marrëveshjes së drithit në Detin e Zi sapo Perëndimi të përmbushte detyrimet e tij në lidhje me eksportet e grurit të vetë Rusisë.
Eksportet ruse të grurit dhe plehrave nuk i nënshtrohen sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Moskës për veprimet e saj ushtarake në Ukrainë. Por Moska ka thënë se kufizimet mbi pagesat, logjistikën dhe sigurimet kanë qenë një pengesë për dërgesat.