Detaje të rënda vinë nga Greqia, pas gjetjes së 18 trupave që ishin djegur nga zjarret në një pyll.
Mësohet se dy prej viktimave ishin fëmijë, teksa të jgithë viktimat raportohen të jenë meshkuj. Pavlos Pavlidis, mjek në qytetin e Alexandroupoli, kreu një inspektim fillestar në vendin ku u gjetën mbetjet e djegura, në jug të fshatit Avantas.
“Ishin gjithsej 18 trupa të djegur, të gjithë meshkuj dhe dy prej tyre ishin fëmijë. Ata u gjetën të gjithë në grupe prej dy ose tre personash në një distancë prej 500 metrash, me sa duket duke u përpjekur të arratiseshin, dhe disa prej tyre u dogjën në një barakë”- tha ai.
18 trupat u gjetën në një zonë rurale në Evros, ku zjarret po digjen jashtë kontrollit për të katërtën ditë radhazi. Të vdekurit ishin emigrantë, sipas ministrit të Migracionit Dimitris Keridis.
Pavlidis shtoi se trupat do të dërgohen në spital të mërkurën për ekzaminim nga mjekët ligjor. Ai nuk ishte në gjendje të konfirmonte raportimet se tetë trupa të tjerë u gjetën të djegur në një vend tjetër.
Rajoni i Evros është një rrugë tepër e përdorur për emigrantët që vijnë nga Lindja e Mesme dhe Azia, duke kaluar lumin nga Turqia për në Bashkimin Evropian. Autoritetet kanë raportuar një rritje në kalimeve këtë muaj./m.j