Analisti Edvin Kulluri ishte i ftuar në “Special Report” me gazetarin Arlind Isa ku folën për zhvillimet e fundit politike. Kulluri theksoi se Kuvendi i Partisë Demokratike zyrtare që do të mbahet me 2 Shtator duhet të përcjellë një mesazh të qartë, që nuk do të ketë më bashkëpunim me Sali Berishën.
“Shpresoj që 2 shtatori të japë një mesazh të qartë që nuk do të ketë më bashkëpunim me zotin Berisha ose duhet të hapë krahun njëri nga të dy. Nuk shoh asnjë shpresë apo mundësi që palët të bashkohen. Bashkimet false dhe hipokrite nuk i shërbejnë askujt. Them që Basha dhe Berisha të jenë të qartë se të dy nuk bashkëpunojnë sepse ndarja është e qartë, po përvijohet gjithmonë e më shumë.”, u shpreh Kulluri.
Duke komentuar kërkesën e PD zyrtare ndaj Foltores për të dalë me një kandidat të vetëm për zgjedhjet në bashkinë e Kukësit, Kulluri e cilësoi si jo të sinqertë.
“Ka një kërkesë për bashkim nga të dy palët por nuk më duket shumë e sinqertë. Tashmë ka nevojë për qartësi. Dua të them qartë se nuk mund të ketë bashkëpunim mes dy palëve në kuptimin e garave maxhoritare siç janë ato për bashkitë. Ndarja është shumë e thellë. Janë vetëm fjalë dhe madje Rexhmati ka bërë thirrje që të bashkohen të gjithë demokratët. Bashkim nuk ka.”, u shpreh mes të tjerash Kulluri./m.j