Pas afro dy dekadave, përfundon telenovela e titullit kampion të vitit 2006 në Serie A. Këshilli i Shtetit në Itali vulosi çështjen, duke i’a lënë Interit trofeun që iu hoq Juventusit pas skandalit “Calciopoli”.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, ANSA, pretendimet e klubit bardhezi në Apel kundër Federatës së Futbollit, Interit dhe Komitetit Olimpik Italian u hodhën poshtë.
Vendimi i dha fund edhe sagës që zgjaste prej disa vitesh. Ishte shkalla e fundit në zinxhirin e sistemit gjyqësor të Italisë. Kjo ishte vula pas vendimit të ish-drejtuesit të përkohshëm të federatës, Guido Rossi, që në vitin 2006 ia caktoi Interit në tavolinë titullin, që kishte mbetur pa fitues pas dënimeve të drejtësisë sportive kundër Juventusit dhe drejtuesve të atëhershëm të klubit.
Bëhet fjalë për Apelin e radhës të hedhur poshtë nga Juventusi. Histori nisi prej vitit 2011 në organet e drejtësisë sportive në Federatën e Futbollit. Në të njëjtin vit, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Itali u shpreh se nuk kishte kompetenca të ndërhynte rreth dënimeve të Calciopolit.
Në 2019-ën Kolegji i Garancisë e cilësoi të papranueshëm ankimimin e Juventusit, ashtu si edhe Gjykata Administrative e rajonit të Lazio-s në vitin 2022. Pas kalvarit nëpër dyert e gjykatave bardhezinjtë e humbën betejën për titullin e 2006-ës, që i mbetet zyrtarisht Interit.
/a.r