Parqet natyrore konsiderohen si pika të forta të zhvillimit të qëndrueshëm turistik dhe ekonomik, ndaj parandalimi i gjuetisë dhe mbrojtja e jetës së egër mbeten prioritet.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale kartolinën që vjen nga banorët e zonave të mbrojtura, si kaprojtë në Bredhin e Sotirës dhe ketrat në Shebenik, sipërfaqe të kthyera në habitate të qeta dhe atraksione ekoturistike në parqet kombëtare e natyrore.
Moratoriumi i gjuetisë në pyje po jep rezultat, duke sjellë rigjenerim të faunës së egër.
Gjithashtu edhe kujdesi i vazhdueshëm i stafeve të Zonave të Mbrojtura po dëshmon çdo ditë rigjenerimin e faunës së egër në vendin tonë.
Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, me një sipërfaqe prej 34 mijë ha, në një lartësi prej 300 – 2264 m mbi nivelin e detit, ka një ekosistem natyror shumë të pasur me bimësi, kafshë e shpendë të egër dhe ku gjendet rreth 32% e florës së gjithë Shqipërisë.
Po ashtu edhe Zona e Mbrojtur “Bredhi i Sotirës”, Monument Natyre i kategorisë III, e cila shtrihet në një sipërfaqe prej 1740 ha në Dropullin e Sipërm, konsiderohet si një perlë e natyrës shqiptare, qoftë nga pikpamja ekoturistike dhe nga ajo shkencore.
/a.r