Mbi 3000 persona janë në gjyq për të fituar të drejtën e pensionet për shkak problemeve që kanë me të dhënat e tyre në arkivat shtetërore.
Ishte ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi i cili përmendi disa nga problematikat më të hasura si ajo e mungesës së viteve të punës dhe abuzimet me uljen e moshës së pensionit, gjatë analizë vjetore të ISSH.
Ministri Klosi kërkoi kursim të kohës dhe vuajtjes të pensionistëve, propozoi ndryshime ligjore dhe ngritjen e një strukture të re pranë ISSH dhe krjimin e një strukture të re të çertifikimit të periudhave të sigurimit.
“Situata është shqetësuese në periudhën e realizmit socialist në vitet ‘50-’60, ku të dhënat janë shkruar me laps dhe dëshifrimi i tyre është i pamundur. Mungesa e viteve të punës, apo gabimet në të dhënat personale sot është një kosto që i faturohet qytetarëve që në vitet e mbetura nuk gëzojnë dot një pension”, u shpreh Klosi.
Klosi do t’i drejtohet Këshillit Administrativ të ISSH të ndërrmarrë ndyshimet ligjore për të shmangur situata të tilla dhe si dhe do të krijojë një strukturë të re të çertifikimit të periudhave të sigurimit.
Po ashtu, ai kritikoi drejtuesit e zyrave rajonale të Sigurimeve Shoqërore, pasi ka ka patur rreth 900 ankesa për mungesë të shërbimeve nga këto institucione.
Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, ka bërë publike disa nga arritjet dhe sfidat me të cilat përballet skema e sigurimeve shoqërore, si një fushë me efekte shumë të gjera sociale, ku preket thuajse çdo familje shqiptare.
Implementimi i reformës së pensioneve, ishte prioriteti më i rëndësishëm i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
ATSH