Autoritetet në Kinë akuzuan zyrtarisht një punonjës të qeverisë se ka spiunuar për CIA-n amerikane. Ky është rasti i dytë i spiunazhit me profil të lartë të ngritur gjatë këtij muaji, ndërsa Pekini po shton vëmendjen tek çështja e sigurisë kombëtare.
Në një deklaratë, agjencia civile e spiunazhit, Ministria e Sigurimit të Shtetit, theksuan se po hetojnë një kuadër në një ministri të paidentifikuar, i cili dyshohet se ishte rekrutuar nga CIA ndërsa ai ishte duke studiuar në Japoni.
Shtetasi 39-vjeçar kinez, i identifikuar vetëm me mbiemrin e tij Hao, u njoh me një zyrtar të ambasadës amerikane në Japoni ndërsa aplikonte për një vizë amerikane, tha ministria. Sipas deklaratës, zyrtari amerikan dyshohet se zhvilloi një marrëdhënie të ngushtë me Hao duke e trajtuar atë me vakte ushqimi, duke i dërguar dhurata dhe duke e paguar për të ndihmuar në shkrimin e një punimi kërkimor.
Ministria pretendoi se zyrtari i ambasadës amerikane më pas e prezantoi Hao me një koleg, i cili më vonë zbuloi se ishte oficer i CIA-s dhe i kërkoi Haos të kthehej në Kinë për të punuar për një “departament thelbësor dhe kritik”.
Hao dyshohet se ra dakord, nënshkroi një marrëveshje spiunazhi me SHBA dhe mori trajnime, thuhet në deklaratë. Pas kthimit në Kinë, Hao nisi një punë në një ministri qeveritare dhe dyshohet se u takua me agjentë të CIA-s disa herë për të “siguruar inteligjencën dhe mbledhur fonde spiunazhi”, pretendoi agjencia kineze e spiunazhit.
Deklarata erdhi vetëm 10 ditë pasi e njëjta ministri pretendoi se zbuloi një tjetër shtetas kinez që spiunonte për CIA-n – një punëtor në një grup industrial ushtarak të paidentifikuar kinez, i cili dyshohet se ishte rekrutuar ndërsa studionte në Itali.
/a.r