Ministri grek i Punës, Adonis Georgiadis, i dërgoi një mesazh Shqipërisë, duke folur për rastin e burgosjes së Fredi Belerit, duke theksuar se vendi fqinj duhet të “harrojë kursin europian nëse pengon betimin e Belerit”.
Në mënyrë të veçantë, në një intervistë për ERT-në, ministri kërcënoi se Greqia do të bllokojë çdo financim europian për Shqipërinë, për sa kohë të zgjasë çështja Beleri, duke sqaruar se “Shqipëria do të harrojë paratë nga Europa nëse Fredi Beleri nuk betohet si kryebashkiaku i Himarës”.
Ai shtoi se nëse zgjedhjet përsëriten ose betohet një kryetar tjetër bashkie, “për Greqinë do të jetë faktor i keq i marrëdhënieve me Shqipërinë për një periudhë të pacaktuar”.
“Shqipëria do të paguajë një çmim shumë të lartë nëse vazhdon të shkelë të drejtat e grekëve të Vorio-Epirit”, shtoi ai, duke vënë në dukje se Shqipëria duhet të rishikojë qëndrimin e saj.
Mungesa e Ramës në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Athinë është një “mesazh” i qartë. Duke folur për rëndësinë e takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Athinë, z.Georgiadis theksoi se “e konsideroj shumë të rëndësishme që Rama nuk është ftuar”.
“Vendimi i Kyriakos Mitsotakis për të ftuar të gjithë të tjerët, përveç Ramës dhe që të gjithë të tjerët të jenë veç Ramës, mendoj se tregon se çështja e Fredi Belerit nuk po kalon aspak pa pengesa në qeverinë greke”, tha ministri.
Në fakt, ai komentoi se “ata që menduan se Kyriakos Mitsotakis do të rezultonte një kryeministër i butë në reagimin e tij për këtë çështje, kanë gabuar”.
“Mesazhi për Shqipërinë sot është i qartë. Nëse vazhdojnë të pengojnë betimin e kryetarit të ri të bashkisë së Himarës Fredi Beleri, do të duhet të harrojnë kursin e tyre evropian dhe paratë nga Evropa”.
/a.r