Gazeta greke “Ekathimerini” i ka kushtuar një artikull çështjes “Beleri”, ku flet edhe për përpjekjet mes Tiranës dhe Athinës për të zgjidhur këtë situatë.
“Athina është e shqetësuar se Fredi Beleri, mund të humbasë detyrën si kryebashkiak si pasojë e marifeteve të qeverisë së Edi Ramës në tre muajt e fundit”, shkruan “Ekathimerini”.
“Kryeministri shqiptar thuhet se i ofroi Greqisë garanci në prapaskenë menjëherë pas zgjedhjeve të dyta greke në fund të qershorit se “çështja e Belerit do të zgjidhet”. Sot kuptohet se ai mund të ketë bërë blof për të blerë kohë që të skadojnë tre muajt e paraburgimit dhe procesi të kalojë në fazën tjetër, që është përjashtimi automatik i Belerit si kryebashkiak.
Sipas kodit bashkiak shqiptar, një kryetar bashkie është i detyruar të ketë një adresë banimi brenda kufijve të bashkisë së tij. Adresa aktuale e Belerit është ajo e burgut të Vlorës ku ai mbahet, siç ligji e parashikon për çdo të burgosur pas tre muajve të paraburgimit”, vijon më tej gazeta.
Gazeta greke thotë se retorika nga Athina ka ndryshuar, pasi nuk mund të vihet në dyshim pavarësia e sistemit të drejtësisë shqiptare.
“Le ta lëmë mënjanë çështjen e lirimit nga burgu: vetëm lejo Belerin të bëjë betimin, që mund të bëhet edhe nga burgu. Ky është mesazhi i sotëm i qeverisë greke, burimet e së cilës theksojnë se krimi i dyshuar nuk e pengon betimin e Belerit. Ministri i Jashtëm George Gerapetritis i ka kërkuar vazhdimisht homologes së tij shqiptare, Olta Xhaçka, që thjesht të lejojë Belerin të beje betimin”, shkruan gazeta e njohur greke.
Një tjetër çështje që shtron gazeta është dhe ajo e rivalitetit Rama-Berisha, ku Beleri mund të shihet si viktima e betejës.
“Rama dhe Berisha janë armiq të betuar, që do të thotë se Himara është kthyer në një tjetër fushë beteje për rivalitetin e tyre – me Belerin që bëhet viktimë. Ekspertët e Ballkanit thonë se Rama mund të përballojë të luajë një lojë të vështirë me Athinën, sepse Berisha është “i padëshirueshëm” në Uashington”, shkruan Ekathimerini.
/a.r