Universiteti i Harvardit ka kryer një studim së bashku me studiues nga “Brigham and Ëomen’s Hospital” në Boston, objektivi i të cilit ishte “të vërente lidhjet midis konsumit të pijeve freskuese dhe incidencës së kancerit të mëlçisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet kronike të mëlçisë”.
Për këtë studim, ata morën si kampion gjithsej 98 786 gra në postmenopauzë, nga mosha 50 deri në 79 vjeç, në Shtetet e Bashkuara. Pjesëmarrësit e studimit i informuan studiuesit për shpeshtësinë me të cilën ata konsumonin pije joalkoolike me sheqer, përmes një shkalle që varionte nga “asnjëherë ose më pak se një herë në muaj”, në “gjashtë ose më shumë në ditë”.
Pas dy dekadash hulumtimi, ata arritën në përfundimin se gratë që pinë pije me sheqer çdo ditë kanë rrezik të shtuar të kancerit të mëlçisë dhe rrisin rrezikun e tyre për të vdekur nga sëmundjet kronike të mëlçisë. 6,8% e grave që konsumonin një ose më shumë pije me sheqer në ditë kishin një rrezik 85% më të lartë të kancerit të mëlçisë. Për sa i përket sëmundjeve të mëlçisë, duke ndjekur të njëjtin parametër, rreziku është 68% më i lartë në raport me ata që konsumojnë më pak se tre pije në muaj, sipas këtij studimi të publikuar në revistën JAMA.
Megjithatë, autorët raportuan se ky studim ishte vetëm vëzhgues dhe bazohej në përgjigjet e vullnetarëve. Studiuesit arritën në përfundimin se “studimet e ardhshme duhet të konfirmojnë këto gjetje dhe të identifikojnë rrugët biologjike për këto lidhje”.
/a.r