Shqiptarët nuk janë pijedashës. Në renditjen globale vendi ynë renditet i 90-ti, nga 190 shtete të marra në shqyrtim për konsumin e alkoolit.
Pra, në listën e publikuar nga CIA, konsumi është disa herë më i ulët, pavarësisht nga perceptimi.
Konsumi vjetor për banor raportohet 4.4 litra, sasi kjo që na çon shumë larg vendeve të para si ishujt Cook, Letonia, Çekia e Lituania ku norma vjetore e konsumit për frymë kalon 12 litra.
Edhe në raport me rajonin, shqiptarët bashkë me fqinjët e Maqedonisë së Veriut janë më pak të prirur për të pirë alkool, ndërsa pijedashësit më të mëdhenj jetojnë ne Malin e Zi. Në sasi, birra mban peshën kryesore të konsumit, ndjekur nga rakia dhe vera.
Edhe statistikat zyrtare të Eurostat e rendisin Shqipërinë të parafundit në kontinent, duke lënë pas vetëm Turqinë.
Pijet alkoolike janë më të lirat në Evropë në Maqedoninë e Veriut, me 81 për qind të mesatares evropiane dhe më të shtrenjtat në Suedi, me 219 për qind të mesatares evropiane.
Shpenzimi nominal për frymë për pije alkoolike në Shqipëri është 86 euro, ndërsa në Bashkimin Europian 286 euro.