Një sasi kokaine është sekuestruar në Portin e Pireut në Greqi, e fshehur brenda frigoriferëve të karkalecave të detit.
Sipas mediave greke, janë sekuestruar 64 kg kokainë në një konteiner të nisur nga Ekuadori. Vlera e drogës përllogaritet në 2 milionë Euro.
Aksioni i policisë greke u zhvillua pas informacioneve nga zyra e DEA-s në Athinë.
Kjo është hera e parë në Greqi që kokaina zbulohet jo në arkat e frutave, kryesisht bananeve, por në frigoriferë ku mbahen karkalecat e detit.
“Deri tani trafikantët zakonisht e trafikonin drogën në ngarkesa me banane. Për shkak se ngarkesa të tilla janë kapur disa herë, tani kanë gjetur mënyra të reja. Është hera e parë që kokaina gjendet në frigoriferin ku mbahen karkalecat e detit”, thanë burimet policore për mediat greke.
Kjo mënyrë e re e trafikimit po vihet në zbatim nga trafikantët jo vetëm në Greqi por edhe në shtete të tjera të Europës.
Ndërkohë, autoritetet greke janë duke vijuar hetimet për të identifikuar dhe arrestuar personat përgjegjës për kokainën e kapur.