Rusia ua ka ndaluar hyrjen 54 shtetasve britanikë, përfshirë edhe kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), Karim Khan.
Ky vendim i Moskës erdhi si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve që Mbretëria e Bashkuar vendosi ndaj qytetarëve rusë dhe kompanive ruse, tha Ministria e Jashtme e Rusisë.
GJNP në mars ka lëshuar një urdhërarrestim për presidentin rus, Vladimir Putin, duke e akuzuar për krime lufte. Urdhërarrestimi u lëshua lidhur me dëbimin e qindra fëmijëve nga Ukraina.
Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshon urdhërarrestim për Putinin
Në listën e ndalesës për hyrje në Rusi janë edhe sekretarja shtetërore për Mbrojtje, Annabel Goldie, por edhe një sërë gazetarësh të BBC-së, Guardian dhe Daily Telegraph.
Rusia paralajmëroi se do të vazhdojë të zgjerojë listën në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve perëndimore.
Që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurtin e kaluar, shtetet Perëndimore kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj Rusisë./REL