Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga rreth 50 mijë turistë në periudhën janar-gusht 2023, duke shënuar kështu një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë.
Kështu konfirmoi sot për ATSH-në, drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Ornela Durmishaj, ndërsa iu referua statistikave të numrit të turistëve për këtë periudhë të vitit.
Sipas Durmishaj, “të dhënat tregojnë se është tejkaluar si numri i vizitorëve ashtu edhe të ardhurat nga biletat, krahasuar me vitin e kaluar”.
Ajo theksoi se numri i turistëve që vizituan Parkun Arkeologjik të Apolonisë gjatë kësaj periudhe shënon një rritje të konsiderueshme, po të kemi parasysh se gjatë gjithë vitit 2022, Apoloninë e vizituan gjithsej 52 244 turistë.
“Ky vit ka nje rritje shumë të lartë të vizitorëve. Në fund të muajit gusht Parku Arkeologjik i Apolonisë do të kalojë numrin e vizitorëve të gjithë vitit 2022”, theksoi Durmishaj.
Sa i përket turistëve të huaj, Durmishaj tha se “këtë vit numri i vizitorëve nga vendet europiane është shumë i madh,”.
“Përqindjen më të lartë të vizitorëve e kanë turistët italianë, spanjollë, francezë, polakë etj”, theksoi ajo. Ndërkohë të shumtë kanë qenë edhe turistët familjarë që kanë vizituar sitin arkeologjik.
Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike.
/a.r