Katër motra murgesha të Nënë Terezës janë masakruar sot paradite nga një grup terroristësh, që sulmuan kuvendin e tyre në Aden të Jemenit. Lajmin e konfirmon për agjencinë katolike Fides vikariati apostolik i Arabisë Jugore. Përveç murgeshave, mbetën të vrarë edhe së paku dy bashkëpunëtorë etiopianë të bashkësisë, ndërsa murgesha nënë ka shpëtuar.
Janë gjallë edhe të gjithë të moshuarit e invalidët për të cilët kujdeseshin murgeshat, ndërsa, tani për tani, nuk ka lajme për meshtarin salezian indian Tom Uzhunnalil, që jetonte në kuvendin e motrave të Nënë Terezës, pasi kisha e Familjes së Shenjtë, ku shërbente më parë, u plaçkit dhe u dogj nga njerëz të armatosur shtatorin e kaluar.
Dy nga murgeshat e vrara ishin nga Ruanda, një nga India dhe tjetra nga Kenia.
Deri tani asnjë grup terrorist nuk e ka marrë përsipër sulmin, por në qytetin portual, rimarrë vetëm pak muaj më parë nga forcat besnike ndaj presidentit në luftë me rebelët Huthi, janë përqendruar grupe të lidhura me Al Kaedën.