Situata e krijuar me burgosjen per blerje votash te kryebashkiakut të zgjedhur në bashkinë Himarë, Fredi Beleri është kthyer sërish në kryefjalën e diskutimeve jo vetëm në vendin tonë por edhe në Greqi.
Prania e shtetit fqinj në vendin tonë në protesta e thirrje për krisje të marrëdhënieve diplomatike nëse nuk lirohet Fredi Beleri ka hapur një diskurus të madh të reagimeve në tryezat e diskutimeve.
Në këtë fokus ishte edhe diskutimi i deputetit te PD Saimir Korreshi të ftuar me gazetarin e Report Tv Emiliano Islami.
Deputeti Korreshi e cilësoi absurd qasjen e Greqisë, sidoqoftë sipas tij protestat janë gjithnjë pozitive për aq kohë sa janë edhe paqësore.
“Po të kishte shkuar një politikan shqiptar të kishte bërë në thirrje të tillë, do ishte shpallur non grata miniamalisht ose do kishte marrë një notë proteste. Kjo është e rëndë për t’u përtypur. Kjo është pafuqia e shtetit tonë, që jemi trajtuar si mos më keq për këto 32 vite dhe kur vjen puna shteti shqiptar është treguar i dobët.
Kjo vjen nga pafuqia e shtetit shqiptar dhe ata e quajnë gjë natyrale, në sytë e fqinjëve është një shtet i mbaruar, i lodhur që s’ka fuqi të reagojë dhe që meket para një situate të tillë. Jam pro protestave paqësore, ndërsa pjesa tjetër është e papranueshme. Kurse shteti ynë duke filluar nga presidenti është në plazh dhe nuk reagojnë.”- thotë Korreshi.
Një grup i vogël personash protestuan në Himarë më 14 gusht në mbështetje të Belerit. Të pranishëm ishin edhe kryetari i bashkisë së Athinës, Kostas Bakojanis dhe kryebashkiaku i Selanikut, Konstantinos Zervas. Kryeministri Edi Rama në një reagim një ditë pas grumbullimit në Himarë theksoi se akuzat ndaj Belerit janë çështje e drejtësisë./m.j