E diel, 24 shtator, me dekret të presidenti Barjam Begaj, qytetarët e Kukësit do të paraqiten sërish pranë qendrave të votimit për të zgjedhur të parin e qytetit, kryebashkiakun e ardhshëm. Bashkinë pa kryetarin e zgjedhur e drejton përkohësisht nënkryetari, Granit Gjana.
Partia Socialiste, që reagoi duke e shkarkuar menjëherë Safet Gjicin, përzgjodhi Albert Halilajn, një figurë që gëzoi mbështetjen e bazës, ish -drejtor i Tatimeve në Kukës, i emëruar së fundi prefekt i qarkut, përmes të cilit kërkon sërish besimin e qytetarëve kuksianë.
Përballë socialistëve, e djathta shfaqet edhe në këtë garë të pjesshme me sfidën e përçarjes që në zgjedhjet vendore të 14 majit, nuk i dha asnjë bashki PD-së zyrtare, dhe vetëm 7 kryebashkiakë aleancës Meta-Berisha, përballë 53 bashkive që mori PS.
I rikthyer në fund korrik në krye të PD-së, Lulzim Basha, mësohet nga burime brenda selisë blu, se ia beson kandidimin për këtë garë Arif Rexhmatit, kreut të degës në Kukës. Megjithatë i djegur nga 14 maji pa asnjë fitore për PD-në që ai kish deleguar Enkeleid Alibeajt, Basha beson se Kukësi fitohet vetëm me një kandidat të përbashkët. Qëndrimi u shpreh përmes Partisë Demokratike në Kukës.
“Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim për të mundësuar përfaqësimin dinjitoz të së djathtës shqiptare në garën për Bashkinë e Kukësit me një kandidat fitues dhe e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan një kandidat të denjë për Kukësin”, thuhet në deklaratën e PD Kukës.
Në aleancën e zbehur pas zgjedhjeve me Partinë e Lirisë, Sali Berisha ende nuk ka një emër, dhe është ende në mëdyshje nëse do i besojë sërish, Admir Sinamatin. Ilir Meta shprehu qartë se partia e tij nuk ka asnjë emër kandidati dhe do të mbështesë këdo që aleati i tij do të propozonte.
“Bashkimi në një alternativë dhe jo një opozitë me copa, për Jorida Tabakun, tregon përgjegjshmëri politike përballë qytetarëve”, tha Meta.
“Të kërkosh që opozita të jetë e bashkuar nuk të bën as të shitur dhe as të blerë diku…Gabimet e së shkuarës duhet të na bëjnë të mësojmë”, shkroi Tabaku.
Paritë politike duhet të regjistrohen në KQZ deri më 1 shtator, afati për koalicionet është data 6, dhe për kandidatët deri më 8 shtator./m.j