Rreth 123,210 pasagjerë dhe 39,480 automjete kanë udhëtuar drejt Portit të Durrësit përgjatë muajit korrik 2023.
Referuar të dhënave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, gjatë muajit që lamë pas, tragetet e linjës Durrës-Bari/Ankona kanë sjellë në vendin tonë mbi 90,965 qytetarë, ndërkohë që 32,242 udhëtarë janë regjistruar në dalje nga vendi ynë drejt Italisë fqinje.
Një rritje e konsiderueshme e pasagjerëve është reflektuar veçanërisht gjatë dy javëve të fundit të muajit korrik, ku tragetet kanë sjellë me mijëra bashkëatdhetarë që jetojnë e punojnë jashtë kufijve, por edhe shtetas të huaj.
Po të njëjtat burime saktësojnë se rritje e ndjeshme udhëtarëve pasqyrohet edhe në raport me muajin paraardhës ku kanë lundruar me tragete rreth 50,000 pasagjerë në total, treguar një rritje të konsiderueshme me 73,207 udhëtarë më shumë se qershori 2023.
Përgjatë kësaj periudhe një mujore rritja është reflektuar dhe në numrin e automjeteve, trailerave dhe kamionëve të përpunuar në Terminalin e Trageteve ku numërohen 20,802 mjete më shumë se muaji që lamë pas.
Ndërkohë vijojnë lundrimet e dyfishta të trageteve të cilat do jetë në funksion të përballimit të fluksit të shtuar të udhëtarëve i cili pritet të shënojë rritje progresive edhe në javët e ardhshme duke sjellë kështu edhe rritje të angazhimit dhe vigjilencës dhe angazhimit të të gjitha autoriteteve operuese në pikën kufitare kryesore të transportit detar në vend.
/a.r