Ministria e Kulturës ende nuk e ka të qartë se kur do ta vë në jetë projektin për shndërrimin e Parkut Arkeologjik në Qendër Informative për Turizëm Kulturor, përderisa tashmë i është ndërruar kulmi dhe është ndërhyrja e dytë vetëm për riparimin e dëmeve në këtë objekt.
Edhe afro 20 mijë euro të tjera janë derdhur në këtë objekt, shkruan Koha Ditore. Dëmtimi i këtij kulmi do të bëhej shkas që Ministria e Kulturës të arsyetohej për vonesën e procesit të shndërrimit në Qendër Informative, një projekt i iniciuar qysh në vitin 2013, për të cilin ishin ndarë 55 mijë euro, që aso kohe ishin të destinuara për turizëm kulturor. Kjo është hera e dytë që xhamat e parkut dëmtohen.