Në Maqedoninë e Veriut, vijojnë të forta debatet dhe kritikat lidhur me vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Çair dhe në Tetovë.
Faktorët politikë maqedonas e shohin si nacionaliste daljen e Kurtit para mijëra përkrahësve në Tetovë, ku shfaqej publikisht një flamur i Shqipërisë së madhe.
Gjithashtu emërtimi i një rruge në komunën e Çairit sipas veprimtarit Adem Demaçi po ashtu ka hasur në pakënaqësi të shumta tek maqedonasit për shkak të “ndryshimit të emërtimeve pa një konsensus të gjerë ndëretnik”.
Presidenti Stevo Pendarovski reagoi përmes një shkrimi në Facebook të dielën duke e cilësuar tubimin në Tetovë si “një ikonografi provokuese nacionaliste me ide shoviniste që ndez urrejtjen etnike”.
Sipas tij në këtë mënyrë “sulmohen parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit dhe të Maqedonisë si një shtet shumetnik”.
Presidenti maqedonas kërkon ndëshkimin e organizatorëve të tubimeve në Tetovë dhe në Çair. Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE fajin ia hedh qeverisë të drejtuar nga Lidhja Social Demokrate, ndërsa kritikon edhe Presidentin Pendarovski për reagimin e vonuar.
Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE-së shkruan në rrjetet sociale se Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka votuar në një seancë të qeverisë për ndryshimin e emrave të rrugëve, teksa e akuzon atë për tradhti ndaj interesave dhe popullit maqedonas.
/a.r