Drejtuesit e mjeteve lundruese vijojnë të shkelin perimetrin e sigurisë dhe rregullat e përcaktuara, duke vënë në rrezik jetën e pushuesve.
Për pasojë, gjatë një aksioni të fundit të policisë nga Ksamili në Velipojë, u sekuestruan 32 mjete lundruese.
Nga këto, 16 janë jet ski, gjashtë gomone, tetë skafe dhe dy mjete lundruese turistike.
Numri më i madh i shkeljeve është vënë re në vijën bregdetare nga Ksamili në Vlorë, ku janë bllokuar 20 mjete lundruese, ndërsa pjesë tjetër u sekuestruan në Durrës, Shëngjin dhe Velipojë.
Sipas policisë, disa prej mjeteve u kapen sepse po lundronin jashtë zonës së përcaktuar të sigurisë, ndërsa disa të tjerë ishin të paregjistruar dhe me mungesë dokumentacioni.
Gjatë aksionit u morën masa ndëshkimore edhe për drejtuesit e mjeteve, të cilët u gjobitën me shuma që variojnë nga 20 mijë deri në 100 mijë lekë.
Që prej nisjes së sezonit turistik, policia ka pasur aksione të vazhdueshme në bregdet për të sekuestruar mjetet që lundrojnë në shkelje të rregullave.
Kjo vëmendje e shtuar për mjetet lundruese erdhi pas tragjedisë së shënuar një vit më parë në Potam të Himarës.
/a.r