Bregdeti shqiptar këtë sezon turistik ofron mjedis më të pastër për vizitorët vendas e të huaj.
Kjo ka ardhur si rezultat i punës së kryer prej muajsh tashmë për mbledhjen e mbeturinave të hedhura vend e pa vend dhe sistemimit të peizazheve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një spot sensibilizues, ku bëri apel për të gjithë pushuesit e gushtit të mbajnë pastër plazhet.
Rama theksoi se “bregdeti ynë magjepsës s’mund të jetë i bukur për t’u shijuar po nuk ishte i pastër, e sidomos tani në kulm të sezonit, kur të gjithë duhet të kujdesemi që papastërtitë të mos e shëmtojnë atë duke na shëmtuar të gjithëve si popull”.
Gjatë sezonit veror bashkitë bregdetare si Himara, Saranda, Durrësi, Kavaja, Vlora, Rrogozhina, etj asistohen me një operator shtesë pastrimi përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.
Plani Kombëtar për pastrimin rrënjësor të Shqipërisë ka për qëllim mbajtjen pastër të mjedisit urban, si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe pushuesve.
Shqipëria me plazhet dhe bukuritë e saj natyrore dhe trashëgiminë kulturore ka të tërhequr në janar-korrik mbi 5,1 milionë vizitorë, duke tejkaluar me 31% më shumë se ato të së njëjtës periudhë të vitit 2022, i cili njihet si viti më i mirë ndonjëherë në bilanc shifrash.
/a.r