Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku theksoi sot domosdoshmërinë për përshpejtimin në kohë të projekteve për zgjerimin dhe rehabilitimin e akseve turistike si ai i Ksamilit, apo të gjitha rrugëve ndërlidhëse në skajin jugor të vendit.
“Mora shkas nga kjo video ajrore e postuar nga miku im Alket Islami, e cila tregon se si vizitorët e Ksamilit , tashmë pagëzuar si “Maldivet e Europës” i duhet të presin në radha të gjata për t’u akomoduar”, u shpreh Balluku.
Ministrja theksoi se “prej rreth 5 vitesh tashmë, kemi studiuar dhe i kemi dhënë zgjidhje infrastrukturës rrugore në jug të vendit me investime që kanë përfunduar e janë drejt përfundimit”.
“Të tilla si tuneli i Skërficës, rruga Kardhiq-Delvinë, rruga Orikum-Dukat, bypass i Vlorës, rruga Palasë-Dhërmi. Apo tuneli i Llogorasë, krenaria infrastrukturore shqiptare”, tha ajo.
“Megjithatë fluksi i vizitorëve në këtë verë, promovimi që vetë ata i kanë bërë vendit tonë, na ka vendosur ne në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ARRSH e FSHZH, para një sfide e përgjegjësie të re”, theksoi ajo.
Balluku theksoi se studimi e projektimi i rrugës Dhërmi – Sarandë, zgjerimi dhe rehabilitimi i akseve turistike si ky i Ksamilit, apo të gjitha rrugët ndërlidhëse në skajin jugor të vendit, pavarësisht se kanë qenë në planet tona, tashmë duhet t’i përshpejtojmë në kohë.
Sipas ministres, i njëjti proces duhet të ndodhë me bashkitë, të cilat duhet të studiojnë dhe projektojnë kapacitete të reja shërbimesh, duke nisur nga parkimi publik e deri tek pastrimi. Sfidat na motivojnë”, tha ajo./m.j