Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinjali”, për kapjen dhe vënien në pranga të 2 autorëve të disa vjedhjeve.
Vodhi një automjet dhe lëvizi me të drejt Lezhës ku sapo konstatoi patrullat e Policisë së qarkut (që ishin sinjalizuar për kapjen e tij), e braktisi automjetin dhe u largua, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari.
I arrestuari, autor i disa vjedhjeve të tjera, në biznese të ndryshme.
Në pranga dhe një 26-vjeçar që vodhi ditën e djeshme, automjetin e një tjetër shtetasi. Sekuestrohet automjeti i vjedhur.
Si rezultat i punës së mirëfilltë hetimore dhe operacionale të kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë e Lezhës, për zbardhjen e vjedhjes së një automjeti që u gjet në Lezhë, më datë 11.08.2023, është finalizuar operacioni policor i koduar “Sinjali”, në kuadër të të cilit është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi L. F., 30 vjeç, banues në Durrës.
30-vjeçari, më datë 08.08.2023, ka vjedhur automjetin e shtetasit M. B, dhe është larguar me të, në drejtim të Lezhës. Menjëherë pas marrjes së denoncimit për këtë vjedhje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar punën dhe kanë siguruar informacion mbi lëvizjet e automjetit të vjedhur. Pas koordinimit me Policinë e Lezhës, automjeti i vjedhur u gjet në fshatin Gjormë, ndërsa shtetasi L. F., i kapur në Durrës, në kuadër të operacionit “Sinjali”, mundi t’iu largohej shërbimeve të Policisë së Lezhës, duke përfituar nga kushtet e errësirës.
Nga veprimet hetimore rezultoi gjithashtu se ky shtetas, më datë 08.08.2023, ka vjedhur në një lokal, më datë 25.06.2023, ka vjedhur në një farmaci dhe më datë 06.08.2023, ka tentuar të vjedhë në një biznes.
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Gjithashtu, në vijim të operacionit policor të koduar “Sinjali”, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të shërbimeve të Policisë, pas kallëzimit të shtetasit E. T., se ditën e djeshme, i kishin vjedhur automjetin, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga menjëherë pas kryerjes së vjedhjes, shtetasi F. L., 26 vjeç, banues në Durrës, si dhe u sekuestrua automjeti i vjedhur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.