Një miqësore luksi për Partizanin, testi i fundit për Romën përpara startit të sezonit. Tirana është pushtuar nga ethet e ndeshjes ku skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho do të kthehet në Arenën Kombëtare.
Verdhekuqtë do të kalojnë 12 orë intensive në Shqipëri. Pak përpara mesditës së kësaj të shtune, ata do të zbarkojnë në aeroportin Nënë Tereza dhe menjëherë do të akomodohen në një prej hoteleve të kryeqytetit, për të konsumuar drekën dhe për t’u qetësuar.
Rreth 120 minuta përpara ndeshjes, pra në orën 18:00, Roma do të paraqitet në stadiumin Arena Kombëtare. Miqësorja me Partizanin nis në orën 20:00 dhe menjëherë pas saj, pak përpara mesnate, gjigantët italianë pritet të kthehen në shtëpi.
Roma kthehet në impiantin më të madh në Tiranë 15 muaj pas triumfit në Conference League. Në maj të vitit 2022, verdhekuqtë fituan në finalen kundër Feyenoord, duke ngritur një trofe ndërkombëtar, që mungonte prej 61 vjetësh. Një rast special për Mourinho dhe skuadrën e tij, por edhe për tifozët.
Në fakt interesimi për miqësoren Partizani-Roma ka qenë i jashtëzakonshëm dhe stadiumi pritet të jetë i mbushur me kapacitet të plotë. 18 mijë spektatorë do të shohin në aksion të besuarit e “Special One”, aty ku përveç Abraham të dëmtuar, pritet të mungojë edhe ylli argjentinas Paulo Dybala.
/a.r