Kryeministri Edi Rama, duke folur për kërkesat e medieve italiane për intervista, u shpreh sot se “gazeta e televizione të mëdha janë nën efektin e magjisë së Shqipërisë turistike”.
“Nuk pushojnë kërkesat e medieve italiane për intervista, gazeta e televizione të mëdha janë nën efektin e magjisë së Shqipërisë turistike dhe memeja humoristike që postova pak ditë më parë, me fotomontazhin e anijeve të ikjes së madhe të vitit ‘91, ka bërë xhiron e Italisë, duke i nxitur edhe më shumë mediet italiane të flasin për bumin turistik të Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Kryeministri ndau në rrjetet sociale intervistën me të përditshmen “La Stampa”. “Për të gjithë ata ndër ju që s’rrinë dot pa lexuar gazeta në këtë gusht fantastik”, shkroi ai.
Duke folur për “La Stampa”, Rama konfirmoi se kjo verë ka qenë përtej pritshmërive.
“Kemi pasur më shumë se +35 % turistë, shifrat e italianëve janë mbresëlënëse dhe janë afër gjysmë milioni. Kur mora detyrën si kryeministër (2013), aeroporti i Tiranës trajtonte maksimumi 350,000 pasagjerë në vit. Tani mbi 6.5 milionë”, u shpreh Rama për “La Stampa”.
/a.r