Kryeministri Edi Rama gjatë një intervistë për gazetën italiane “La Stampa” foli edhe për situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, konflikti në Kosovë mund të bëhet i madh, edhe pse në shkallë të vogla.
Për homologun e tij të Kosovës, Albin Kurti, Rama u shpreh se ai është kokëfortë, por theksoi se e respekton qëndrimin e tij.
Ndërsa për Serbinë, Rama u shpreh se “ajo ka një të kaluar shumë serioze si agresore, është autore e një spastrimi etnik që duhet ta lërë pas”.
Pjesë nga intervista
Megjithatë, edhe sot, marrëdhëniet nuk janë të thjeshta. Nuk e takuat Kurtin në Prishtinë, serbi Vuçiç vazhdon flirtin me Rusinë, Dodik kërcënon me shkëputjen e Republikës Srpska. Ku është harmonia?
Rama: Serbia duhet parë ndryshe. Ajo ka një të kaluar shumë serioze si agresore, është autore e një spastrimi etnik që duhet ta lërë pas. E ka ndërtuar politikën e saj të jashtme si një korridor pasqyrash midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës. Serbia duhet të marrë një vendim, por mendoj se do të zgjedhë Perëndimin, botën demokratike.
A nuk e shihni një rrezik Donbass?
Rama: Po, sigurisht dhe jam shumë i shqetësuar, por gjithçka varet nga ne. Askush nuk mund ta ritrazojë Ballkanin nëse nuk i japim shanse. Konflikti në Kosovë mund të bëhet i madh, edhe pse në shkallë të vogla. Situata e pakicës serbe në veri mund të kthehet në një Donbass i vogël. Ëndrra e Putinit. Por Serbia nuk mund të jetë Rusi, edhe sikur të donte.
Ju dhe Kurti, dy liderë shqiptarë nga vende të ndryshme. Çfarë po gabon kryeministri i Kosovës?
Rama: Unë e respektoj atë, por do të bëja zgjedhje krejtësisht të ndryshme. Ai është i kokëfortë dhe maksimalist. Ka një mundësi fantastike, planin e paqes franko-gjerman. Marrëveshjet nuk qëndrojnë në tavolina përgjithmonë. Pastaj, historia të bën të presësh.
Ju jeni mik i Erdoganit. A mund ta gjejë Turqia çelësin për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë?
Rama: Turqia ka një rol shumë të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e Europës dhe është një bashkëbiseduese e aftë midis Ukrainës dhe Rusisë. Por nuk mendoj se ka çelësin magjik për ndryshimin e një vizioni imperialist, antidemokratik dhe shovinist si ai i Putinit. Të gjitha luftërat përfundojnë në tavolinën politike, por fatkeqësisht do të duhet ende shumë kohë./m.j