Observatori kombëtar i Kinës lëshoi të mërkurën një alarm blu për tajfunin “Khanun”, i gjashti i këtij viti, i cili pritet të sjellë reshje shiu në provincat verilindore të vendit.
Për shkak të tajfunit, shirat e dendur priten të godasin provincat Jilin dhe Heilongjiang duke filluar nga e enjtja, me disa zona që ka të ngjarë të goditen nga stuhi shiu, bëri të ditur Qendra Kombëtare Meteorologjike (NMC), citon “Xinhua”.
Tajfuni “Khanun” po lëviz drejt veriperëndimit me një shpejtësi prej 15 km në orë dhe pritet të zbresë në bregun jugor të Gadishullit Korean të enjten në mëngjes, sipas NMC-së.
Sipas qendrës meteorologjike, stuhitë e shiut pritet të godasin gjithashtu disa rajone në jug të lumit Yangtze, si dhe pjesë të Kinës jugore dhe provincës Yunnan në tre ditët e ardhshme.
Qendra u kërkoi autoriteteve lokale të përgatiten për reagimin e emergjencës ndaj tajfunit dhe të qëndrojnë në gatishmëri të lartë kundër përmbytjeve të mundshme dhe fatkeqësive gjeologjike.