Në fillim të viteve 1980, Franca vendosi t’i jepte fund gjuetisë së bretkosave: një ndër ushqimet e preferuara të qytetarëve të saj, këmbët e skuqura të këtyre amfibëve të shoqëruara me pak hudhër. Ky vendim u mor sepse po vinte në rrezik speciet dhe bashkë me të edhe ekosistemet.
Sot, ‘uria’ për bretkosat nuk është zvogëluar, por vetëm se një pjesë e tyre vijnë nga fermat shtëpiake. Pjesa tjetër importohet nga jashtë BE-së. Si rezultat, rreziku i zhdukjes është zhvendosur në Azi, Turqi dhe Shqipëri.
Kjo u denoncua nga disa organizata mjedisore të cilat i kanë kërkuar BE-së që të ndërhyjë për të rregulluar tregtinë dhe për të ndaluar importimin e specieve të rrezikuara.
“Popullatat e llojeve të mëdha të bretkosave po rrezikohen një nga një në natyrë, duke krijuar një efekt fatal për ruajtjen e specieve,” theksojnë autorët e raportit Deadly Dish nga OJQ-të Pro Wildlife dhe Robin des Bois.
Një paralajmërim drejtuar edhe qeverive të vendeve kryesore konsumatore: Francës, para së gjithash, por edhe Italisë dhe Zvicrës.
Sipas Eurostat, midis viteve 2010 dhe 2019, vetëm vendet e BE-së importuan 40.7 milionë kilogramë këmbë bretkosash, ekuivalente me rreth dy miliardë bretkosa. Shumica blihen nga Indonezia, e ndjekur nga Vietnami, Turqia dhe Shqipëria. Në Indonezi, popullsia e bretkosave është në rënie të vazhdueshme.
“Tregtia e këmbëve të bretkosave monitorohet dhe rregullohet dobët nga qeveria,” tha për DPA Ganjar Cahyadi, kurator i muzeut zoologjik në qytetin e Bandung në Java. Nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e bretkosave të egra në arkipelag, thotë Cahyadi. “Ne nuk e dimë se këto bretkosa eksportohen dhe sa mbeten në mjedisin e tyre natyror.”
Pyjet tropikale të Azisë Juglindore, dhe veçanërisht ato të Indonezisë, njihen për biodiversitetin e tyre të madh: specie të reja vazhdojnë të zbulohen atje. Por gjuetia e përhapur e bretkosave mund të zhdukë specie të tëra para se shkencëtarët t’i identifikojnë ato, thotë Cahyadi, duke shtuar se duhen marrë masa urgjente për kërkimin dhe mbrojtjen e kafshëve.
Situata është e ngjashme në Vietnam, një tjetër eksportues i madh i amfibëve. Numri i bretkosave në përgjithësi gjithashtu ka rënë ndjeshëm këtu në dekadat e fundit, thotë Mai Nguyen i grupit të mirëqenies së kafshëve Humane Society International.
“Kur isha vajzë e vogël dhe jetoja në fshat, ishte e lehtë të shihja bretkosat dhe t’i kapje. Por sot, pothuajse 40 vjet më vonë, bretkosat e egra janë të vështira për t’u gjetur,” thotë Mai.
Megjithatë, qeveria vietnameze nuk ka plane për të kufizuar shitjen dhe eksportin e këtyre kafshëve. Në Turqi, një bretkosë lokale mund të zhduket brenda 10 viteve, paralajmërojnë ekspertët. Dhe të njëjtin fat mund ta ketë edhe bretkosa e ujit shqiptare.
Bretkosat janë edhe pre edhe nga grabitqarët. Mirëpo, për të ulur numrin e insekteve si mushkonjat dhe karkalecat, amfibët janë të domosdoshëm.
“Bretkosat hanë insekte që mund të shkaktojnë probleme për bujqësinë dhe shëndetin publik”, thotë Cahyadi. “Pa bretkosat, do të duhej të përdornim më shumë kimikate për të kontrolluar insektet”, gjë që do të ishte e keqe jo vetëm për mjedisin, por edhe për shëndetin e njeriut.
Një zgjidhje mund të jetë fokusimi në mbarështimin e bretkosave për eksport, në vend të gjuetisë së tyre, thotë Cahyadi, gjë që do të ishte gjithashtu e mirë për ekonominë vendase dhe do të krijonte vende pune. Në Francë po lindin disa ferma. Sipërmarrësi i peshkut Patrick François hapi një të tillë 13 vjet më parë.
“Fakti më i rëndësishëm është se këto bretkosa nuk largohen nga mjedisi natyror”, shpjegon ai për Dpa. Ai furnizon me këmbë bretkosash për një duzinë klientësh: “Jo më, sepse prodhimi ynë nuk është i madh,” thotë ai.
Ndërkohë, një duzinë prodhues të tjerë kanë ndjekur këtë shembull. Megjithatë, këto janë prodhime shumë të vogla për të ndikuar në importet nga jashtë. Në vitin 2019, Ministria Franceze e Bujqësisë raportoi se këto ferma furnizojnë rreth 10 tonë këmbë bretkosash në vit. Në të njëjtin vit, vendi importoi mbi 3 mijë tonë./m.j