Britania mund të largohet nga Konventa e Të Drejtave të Njeriut në zgjedhjet e ardhshme nëse do të ndihmonte në trajtimin e problemit të emigrantëve, që mbërrijnë me varka përmes kanalit “La Mansh”, deklarojnë Konservatorët e Lartë.
Një zëdhënës tha: “Qeveria ka qenë e qartë se do t’i përmbahet detyrimeve të traktatit ndërkombëtar. Siç e kemi përcaktuar më pare, ne besojmë se projektligji ynë ‘Stop the Boats’ do të sjellë ndryshimet e nevojshme për të reduktuar stimujt për njerëzit që të rrezikojnë jetën e tyre përmes kalimeve të paligjshme duke mbetur palë në GJEDNJ”.
Robert Jenrick, ministri i emigracionit, tha se qeveria do të bënte “çfarëdo që kërkohet”, edhe nëse kjo do të nënkuptonte tërheqjen nga GJEDNJ (Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut), traktati 70-vjeçar pan-evropian që mbron të drejtat e njeriut dhe liritë politike në kontinent, raporton BBC.
Bob Neill, kryetari konservator i Komitetit të Drejtësisë në Commons, tha se do të ishte “një ide absolutisht e gabuar” që Britania e Madhe të largohej nga GJEDNJ.
Traktati, i cili përcakton të drejtat dhe liritë që u takojnë njerëzve në 46 vendet nënshkruese, mbikëqyret nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Prej muajsh qeveria britanike i ka shpallur ‘luftë’ emigrantëve që kalojnë përmes kanalit të ‘La Manshit’ me varka të vogla.