Dy persona janë arrestuar ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim në Himarë. Ata janë pronarë të dy lokaleve në plazhin e Krorëzës. Të arrestuarit janë A. N., 28 vjeç dhe E. I., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë ndërsa u shpall në kërkim shtetasi K. V., 28 vjeç, Përveç aktivitetit turistik që supozohet të kryenin, ata merreshin edhe me aktivitet kriminal.
“Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasit A. N. dhe K. V., si dhe shtetasi E. I., kishin përshtatur 2 lokalet në pronësi të tyre, në plazhin e Krorëzës, për veprimtaritë kriminale të kultivimit dhe shitjes së kanabis sativës dhe se kishin pushtuar hapësirë publike, për të vënë çadra dhe shezlongë, pa autorizim”, njoftoi policia.
Gjatë kontrolleve në lokal u gjet një sasi lënde narkotike kanabis e ndarë në vazo dhe qese, 89 bimë narkotike kanabis dhe një sasi municioni luftarak. Për këtë rast u procedua në gjendje të lirë për moskallëzim krimi, një 19-vjeçar, kamarier.
/a.r