Banka e Shqipërisë organizoi të martën një takim me përfaqësues të bankave tregatre që operojnë në vend dhe të biznesit, për të diskutuar rreth perspektivave të kreditimit gjatë këtij viti.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke marrë fjalën i bëri apel sistemit bankar në vend, për të dalë nga pasiviteti dhe për të dhënë më shumë kredi.
“I bëj thirrje sistemit bankar të shkëputet nga qëndrimi relativisht pasiv. Duhet të kuptoni se ka ardhur koha të ktheheni në biznesin tradicional të bankës tregtare, kreditimin e ekonomisë. Mos vazhdoni të jeni peng i disa praktikave të vjetra të kredive të dështuara”, u shpreh Sejko.
“Zinxhiri drejtues i Bankës së Shqipërisë nuk është i kënaqur me situatën aktuale, ndërkohë që arsyet apo pretendimet e shumta që mund të ngrihen nuk mund të justifikojnë një lloj apatie dhe mungese oreksi për rrezik në investim. Presioni ynë sa do të vijë dhe do të rritet në këtë drejtim. Ju ftoj të merrni sa më shpejt masa korrektuese për të mbështetur më mirë ekonominë me kredi”, deklaroi Sejko.
Por bankat thonë se kanë arsye për të qenë të kujdeshme dhe më kryesorja ndër to mbetet frika nga moskthimi i kredive.
President i Shoqatës së Bankave, Christian Canacaris tha se bankat do të synojnë të japin më shumë kredi gjatë vitit 2016, por, kërkoi edhe njëherë që të përmirësohet proçesi i ekzekutimit të kolateralit.
“Për vitin 2016, bankat kanë objektiva më të lartë për rritjen e kreditimit. Ne jemi të angazhuar të mbështesim më shumë ekonominë me financime, por, kjo do të kërkojë përmirësime të mëtejshme në procedurat e ekzekutimit të kolateralit dhe zgjidhjes së kredive të këqija. Gjatë vitit 2015, u arrit një ulje e kënaqshme e nivelit të kredive me probleme, por duhet të pranojmë se ajo ishte kryesisht rezultat i fshirjes së kredive të humbura dhe i masave administrative dhe jo i mbledhjes së borxhit, siç duhet të jetë”, u shpreh Canacaris .