Gjatë vitit 2015 ka pasur rezultate të mira, sa i përket prodhimit të raporteve dhe rekomandimeve për institucionet e Kosovës. Por niveli i zbatimit i këtyre rekomandimeve të lëshuara nga Avokati i Popullit, ka shënuar rritje për 50 për qind.
Sfidë mbetet mbrojtja e sektorit privat nga diskriminimi. Kështu u tha në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, ku u diskutua lidhur me zbatimin e rekomandimeve të institucionit të Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit Hilmi Jashari, foli dhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, duke theksuar se kërcënohet rëndë sistemi i parimit të sigurisë juridike. Ai tha se sipas një hulumtimi, rezulton se në tërë territorin e Kosovës gjatë vitit 2015, janë 117 mijë raste të pa ekzekutuara, të cilat kanë të bëjnë me kundërvajtje. Shifër kjo e cila sipas Jasharit në një shtet me 2 milionë banorë, është alarmante dhe e cila e rrezikon rëndë parimin e sigurisë juridike.