10 persona të tjerë janë marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e Armando Meshaut të hënën në qytetin e Vlorës.
Gazetari Besar Bajraktaraj bëri me dije gjatë një lidhjeje live se bëhet fjalë për dëshmitarë okularë në momentin e ngjarjes, por edhe familjarë të autorit dhe viktimës që janë marrë në pyetje për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje.
Ndërkohë në pyetje është marrë edhe 33-vjeçari Rei Meta, i arrestuar si autor i kësaj ngjarje. Gazetari Bajraktaraj bëri me dije se çfarë ka thënë ai para efektivëve.
“Ka deklaruar para grupit hetimor se nuk kishte si qëllim të vriste 55-vjeçarin Armando Meshau, por situata u përkshkallëzua pasi ai pretendon se i pari që e ka ofenduar dhe e ka goditur ka qenë 55-vjeçari Meshau. Ai ka deklaruar se ndodheshin në qendrën e internetit ku aty është konfliktuar me 55-vjeçarin. Në kushtet e vetëmbrojtjes, pretendon ai para oficerëve të policisë gjyqësore e ka goditur dhe më pas ka humbur jetën si pasojë e rrëzimit në tokë duke goditur kokën në pjesën e orendive të qendrës së internetit. Gjatë deklarimeve që 33-vjeçari ka dhënë bëhet i ditur dhe konflikti që kishte patur prej disa kohësh me 55-vjeçarin. Sipas autorit kishin pasur një konflikt për një shumë parash lidhur me pronën. 33-vjeçari ka deklaruar se disa vite më parë ai kishte ndërhyrë në formën e një sekseri për të blerë një pronë, aty ku do ndërtonte edhe 55-vjeçari. Në këmbim të ndërhyrjes së tij tek personat, pronarët e truallit, viktima i kishte shprehur që do i jepte një shumë parash që siç duket nuk e kishte përcaktuar. Herë pas here gjatë kohëve të fundit ka patur debate sa i përket mos-shlyerjes së kësaj pagese premtuar nga 55-vjeçari”, tha Bajraktaraj.
Nga Policia e Vlorës nuk është referuar ende dosja në prokurori. Pritet që 33-vjeçari të akuzohet për vrasje nga pakujdesia.
/a.r