Banka e Shqipërisë mori vendimin të blerje në treg deri në 300 milionë Euro nga 220 që pati parashikuar për vitin 2023.
Në një intervistë për Tv Klan drejtori i politikave monetare në Bankën e Shqipërisë rendit edhe faktorët që çuan në këtë ndërhyrje, që sipas tij pritet të ndihmojë në lehtësimin e pjesshëm të ofertës dhe presioneve forcuese në kursin e këmbimit.
Erald Themeli, Drejtor i Departamentit të Politikave Monetare në Bankën e Shqipërisë: Ne gjykuam se ky hap ishte i dobishëm së pari sepse i shërbejmë përsëri objektivit tonë të mjaftueshmërisë së rezervës në një horizont kohor afatmesëm, por pjesërisht gjykojmë që do të lehtësojë një pjesë të presionit që ekziston në tregun valutor në formën e rritjes së ofertës së valutës në këtë treg.
Analizat e Bankës së Shqipërisë vazhdojnë të tregojnë se arsyet e forcimit të kursit të këmbimit të lekut në tregun e brendshëm valutor lidhen me përmirësimin e shpejtë të bilancit të huaj të ekonomisë shqiptare.
Erald Themeli: Ne kemi pasur një nivel mëse të mjaftueshëm hyrjesh valutore qoftë nga eksportet, qoftë nga investimet e huaja direkte për të diktuar këtë trend forcues të kursit të këmbimit në tregun e brendshëm valutor.
Në gjykimin e bankës qëndrore forcimi i monedhës vendase në tërësi ka dhënë efekte pozitive për ekonominë shqiptare.
Erald Themeli: Analizat tona tregojnë se në rast se do kishim një kurs më të dobët këmbimi, do kishim një nivel inflacioni dyfish më të lartë nga ai që kemi aktualisht, dhe norma interesi dyfish më të lartë.
Megjithatë Banka e Shqipërisë po ndjek më vëmendje zhvillimet në tregun valutor dhe nëse do jetë nevoja sërish mund të ndërhyhet.
Erald Themeli: Në rast se do jetë e nevojshme, në përputhje me objektivin tonë të inflacionit, ne mund të ndërtojmë edhe plane kontigjencë për zbutjen e luhatjeve të mëtejshme. Për momentin ne gjykojmë që tregu i këmbimit valutor po funksionon normalisht.
Këtë të hënë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë 1 Euro këmbehet mesatarisht me 103.62 Lekë, një rënie kjo me 0.42 pikë në krahasim me një ditë më parë.
/a.r