Drejtuesja e një shtëpie botuese amerikane humbi tragjikisht jetën të enjten si pasojë e një aksidenti në brigjet e Amalfit në Itali. Adrienne Vaughan ra në ujë kur skafi që kishte marrë me qira bashkë me familjen e saj u përplas e një varkë me vela në të cilën ndodheshin rreth 80 turistë. 45-vjeçarja u nxor nga uji, por nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë përpara se të mbërrinte ambulanca.
Sipas asaj që shkruajnë mediat ndërkombëtare, Vaughan ishte presidentja e degës amerikane të Bloomsbury Publishing, shtëpi botuese nga e cila kanë dalë librat e Harry Potter, e shumë libra të tjerë të njohur në SHBA.
Lajmi për vdekjen e saj u konfirmua edhe nga kompania, që e cilësoi një “qenie të jashtëzakonshme njerëzore”.
45-vjeçarja ndodhej me pushime në Itali së bashku me bashkëshortin dhe 2 fëmijët. Teksa këta të fundit fatmirësisht nuk pësuan dëmtime, bashkëshorti u dërgua në spital pasi mbeti i plagosur në krah. Sa i përket turistëve që ndodheshin në varkën me vela, disa prej të cilëve po festonin një dasmë, ata mësohet se nuk pësuan dëmtime.
Ndërkohë, skafi që ishte marrë me qira nga familja Vaughan drejtohej nga një italian i cili sipas asaj që shkruan ANSA, rezultoi se ishte nën efektin e substancave, ndonëse nuk është e qartë nëse kishte konsumuar alkool apo drogë. Ai është një 30-vjeçar i cili po ashtu mori dëmtime si pasojë e përplasjes.
Skafi u përplas teksa ishte nisur drejt Positano, një prej rezorteve turistike më të njohura në bregdetin italian.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti tragjik.
Vaughan iu bashkua Bloomsbury në vitin 2020 si redaktore ekzekutive dhe shefe operative përpara se të promovohej në presidente një vit më vonë. Gjatë kësaj kohe libri “Chasing Me To My Grave: An Artist’s Memoir of the Jim Crow South” fitoi çmimin prestigjioz Pulitzer, për biografinë në vitin 2022.
/a.r