Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me tërheqjen me 25% të pranisë së policisë së Kosovës në 3 ndërtesat e komunave në veri të vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti thotë se kjo vjen pasi vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që mbajtën para dy ditësh drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in.
Albin Kurti: Nga sot filloi zvogëlimi edhe për 25% të tjera i pranisë së policisë së Kosovës në tri ndërtesat e komunave në veri të vendit tonë. Kjo vjen pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që pardje mbajtën drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in. Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë. Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme. Falënderojmë policinë dhe qytetarët pa dallim për bashkëpunimin dhe korrektësinë.
Ashtu qysh kemi thënë para më shumë se dy muajve: 1) nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm dhe as të menjëhershëm të pranisë së policisë, por vetëm gradual e proporcional; 2) zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit.
Ne po zbatojmë me përgjegjësi dhe seriozitet, sinqeritet dhe kujdes, marrëveshjen e Bratisllavës nga 10 korriku 2023 në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për de-eskalim. Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për de-eskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior.
Ftojmë qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme, prej atyre që janë pasojë e keqkuptimit, moskuptimit a keqinterpretimit të situatës dhe zhvillimeve e deri tek ato që janë dëshira anti-qeveritare të transmetuara publikisht si lajme faktike. Lufta hibride kundër Republikës së pavarur të Kosovës dhe qeverisë së saj demokratike e progresiste do të dështojë.
/a.r