Sëmundja e Celin Dion është e pashërueshme. Detajet rreth shëndetit të këngëtares i ka dhënë së fundmi motra e saj disa muaj pasi ajo njoftoi se ishte diagnostikuar me Sindromën Stiff-Person (SPS).
Bëhet fjalë për një çrregullim të rrallë neurologjik që shkakton spazma të pakontrolluara të muskujve.
Duke folur për Le Journal de Montréal, Claudette Dion, rrëfeu se motra tjetër e tyre Linda është shpërngulur në shtëpinë e Celine, dhe jeton aty bashkë me tre djemtë e saj, René-Charles, Eddy dhe Nelson.
75-vjeçarja tregoi po ashtu se këngëtarja po konsultohet me disa nga studiuesit më të mirë të fushës.
Kujtojmë se këngëtarja e njohur u tregoi fansave për sëmundjen e saj në dhjetor të vitit 2022. Më pas, me anë të një njoftimi në Instagram, ajo i njoftoi se i duhej të anulonte turin që kishte planifikuar.
Claudette theksoi se motra e saj është luftëtare dhe do të tentojë të gjejë një zgjidhje brenda opsioneve që ofrohen për rastin.
“Ajo është e disiplinuar në çdo fushë të jetës së saj. Ne s’po gjejmë asnjë medikament që të japë efekt, por është shumë e rëndësishme që ta mbajmë shpresën gjallë.”
Sëmundja e rrallë e Dion, ndër të tjera, shkakton konvulsione, lëvizje të pavullnetshme të muskujve të fytyrës apo gjymtyrëve dhe rritje të ndjeshmërisë ndaj zhurmës dhe prekjes. Shkenca nuk ka arritur ende të identifikojë shkaqet e sakta, por studimet e para tregojnë se bëhet fjalë për një sëmundje autoimune.
/a.r