Kjo javë ka qenë e mbushur me debate e kritika për moderatorin e njohur Ardit Gjebrea. Ai që është konsideruar si një ndër personazhet më të dashur të publikut shqiptar, këtë javë nuk ka marrë vetëm urime e lavdërime sikurse është mësuar, por është kritikuar pafund për intervistën me të dënuarin Marjan Rroku, në burgun e Fushë-Krujës.
Të gjithë kanë pritur reagimin e tij këto ditë, por Arditi ka preferuar të heshtë, deri sot, kur e përditshmja Shqiptarja.com publikoi një artikull ku sipas tyre, moderatori u ka shpjeguar gjithçka lidhur me qëllimin e intervistës me të dënuarin për vrasjen e Alda Cenajt dhe nënës së saj, në vitin 2001.
Në faqen e tij në Facebook, Ardit Gjebrea thotë se nuk ka bërë asnjë prononcim për gazetat lidhur me çështjen e shumëpërfolur. Ai kërkon pak kohë, për të dhënë opinionin e tij për intervistën që shkaktoi reagime pafund.
“Kush nga gazetat ka marrë një prononcim timin që ende nuk e kam bere? Cili apo cila gazetare me ka marrë një mendim në lidhje me 24 ore me…? Jam kureshtar të di një emër që të firmosë atë çka unë i paskam thënë! Nejse, me jepni kohë që të mos shkruaj në këmbë, por të ulem e me qetësi të jap opinionin tim. Nesër më keni këtu, puna vazhdon.”- shkruan Arditi në Facebook.
“Shqiptarja.com” pretendon se e ka gjetur moderatorin e të “Diela Shqiptare” teksa xhironte në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për rubrikën “24 orë me”, ku këtë herë personazh do të jetë një lypës që endet në rrugët e Tiranës. Sipas gazetes, Gjebrea shpjegon se intervista me Rrokun i është përshtatur formatit të “24 orë me” tek e “Diela Shqiptare”.
Por mesa duket, Arditi nuk është dakord me ato që ka shkruar gazeta, pasi pretendon se nuk ka dhënë asnjë prononcim për gazetarët.