Në aktpadinë kundër ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, përmenden edhe 6 persona të tjerë, por pa emër.
Shtypi amerikan ka identifikuar 5 prej tyre, në bazë të informacioneve që përmbante aktpadia.
Ata mendohet të jenë, avokatët Rudy Giuliani, John Eastman, Sidney Powell, Kenneth Chesebro dhe zyrtari i Departamentit të Drejtësisë Jeffrey Clark; ndërsa personi i gjashtë, një këshilltar politik, ende nuk është identifikuar.
Në aktpadi përmenden komentet e dy ndihmësve të zotit Trump, që sipas shtypit amerikan, janë të avokatëve Rudy Giuliani dhe John Eastman në tubimin “Ndalni Vjedhjen”, të zhvilluar para Shtëpisë së Bardhë, prej nga protestuesit u nisën drejt Kapitolit, ku u zhvillua dhuna, duke i kërkuar Nënpresidentit Pence të mos i pranonte votat e elektorëve që kishin dërguar shgtetet ku kishte fituar kandidati Joe Biden.
Një avokate tjetër, e përmendur në aktpadi si “Bashkëkomplotuesja 3”, që sipas medias amerikane është Sidney Powell, ngriti një padi në shtetin e Xhorxhias, duke u dhënë edhe më shumë zë pretendimeve të rreme dhe të pambështetura për vjedhje votash. Aktakuza citon vetë zotin Trump të ketë pranuar privatisht, se pretendimet e zonjës Powell dukeshin “si absurde”.
Jeffrey Clark, ish zyrtari i Departamentit të Drejtësisë, që mbrojti pretendimet e rreme të zotit Trump për mashtrime në zgjedhje, mendohet të jetë “Bashkëkomplotuesi 4”.
Sipas shtypit amerikan “Bashkëkomplotuesi 5” është avokati Kenneth Chesebro, i cili, thuhet në aktakuzë, “ndihmoi në hartimin dhe përpjekjet për të paraqitur elektorë me dokumente të rreme, për të penguar procedurën e certifikimit”.
“Bashkëkomplotuesi 6” është një këshilltar politik, që ende nuk është identifikuar, i cili gjithashtu ka ndihmuar me planin e mashtrimit me elektorë.
Nuk dihet nëse do të ketë apo jo akuza kundër bashkëpunëtorëve të zotit Trump./VOA
/a.r