Pesë ministrat shqiptarë nga radhët e BDI-së në Maqedoninë e Veriut i dorëzuan zyrtarisht kryeministrit Dimitar Kovaçevski dorëheqjet e tyre të kushtëzuara, të cilat do të aktivizohen sapo të miratohen ndryshimet kushtetuese.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë zëvendëskryeministri Artan Grubi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan se ai dhe ministrat, Bujar Osmani, Kreshnik Bekteshi, Fatmir Besimi dhe Jeton Shaqiri i dorëzuan dorëheqjet kryeministrit Dimitar Kovaçevski.
Së fundmi Grubi në një intervistë për Euronews Albania është shprehur se ata kanë dhënë dorëheqjen në mënyrë që VMRO–DPMNE të votojë ndryshimet kushtetuese që i hapin vendit rrugën për BE.
Sipas tij ky ka qenë kushti i qeverisë për të votuar ndryshimet kushtetuese.
“Në një takim mes dy liderëve të dy partive më të mëdha maqedonase LSDM, u bë një kërkesë e pahijshme nga ana e liderit të opozitës, i cili tha se nëse BDI e braktis qeverisë, ky do të ishte kushti i vetëm që partia e tij do i kishte votuar ndryshimet kushtetuese. U vendos theksi se shqiptarët duhet të largohen nga RMV për arsye se janë bërë shumë të fuqishëm, janë bërë vendimarrës dhe duhet të largohen. Theksoj se ky ishte kushti i vetëm për të votuar ndryshimet kushtetuese. Në të njëjtën ditë ne e pranuam këtë sfidë dhe u tërhoqëm nga institucionet në momentin që VRMO do i votojë ndryshimet kushtetuese. Kjo nuk ndodhi dhe ne e rritëm stekën shumë lartë dhe ditën e djeshme Ali Ahmeti vendosi që ne të japim dorëheqjen. Dorëheqjet do jenë në fuqi në momentin që VRMO do të votojë ndryshimet kushtetuese për të zhbllokuar rrugëtimin tonë drejt BE”- tha ai./m.j