Gjykata Kushtetuese e ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për pezullimin e seancës së datës 13 korrik të Kuvendit të Kosovës.
Gjykata, në një aktvendim të nxjerrë të martën, ka vendosur që ta refuzojë kërkesën e PDK-së për vlerësim të kushtetutshmërisë për vendimin e caktimit të seancës plenare të 13 korrikut, në ditën kur ndodhi edhe rrahja mes deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar.
“Gjykata, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, ka vendosur që kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur, të refuzohet”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses, raporton Paparaci.
Pas rrahjes në Kuvendin e Kosovës më 13 korrik, seanca qe pauzuar. Më pas, pavarësisht mospajtimeve dhe kërkesës së opozitës për mbyllje të seancës, pushteti kishte marrë vendim për t’i miratuar disa pika, ndër të cilat ishte edhe Ligji për pagën minimale.
Pas vendimeve të miratuara në seancë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kishte thënë në Facebook, se PDK-ja ka kërkuar që seanca e 13 korrikut të anulohet në tërësi.
Ai kishte thënë se janë bërë dy shkelje kushtetuese me këtë seancë.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur përkitazi me kërkesën për masë të përkohshme në rastin KO 160/23, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të lartcekur të Kuvendit është parashtruar në Gjykatë nga dymbëdhjetë (12) deputetë të Kuvendit, bazuar në autorizimet e përcaktuara nëpërmjet paragrafit 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjykata, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, ka vendosur që kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur, të refuzohet.
Vendimi i Gjykatës gjithashtu sqaron që parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata, që deri në vendosjen meritore të saj lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar, të vendosë masën e përkohshme ndaj aktit të lartcekur, përkatësisht “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, duke pezulluar për pasojë edhe efektin e të gjitha vendimeve të miratuara nga Kuvendi në seancën plenare të 13 korrikut 2023, përfshirë edhe hyrjen në fuqi të ligjeve të miratuara në atë seancë, sipas nenit 80 [Miratimi i Ligjeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Vendimi i Gjykatës sqaron që bazuar në dispozitat e lartcekura, përfshirë praktikën e saj gjyqësore, është e qartë që akti i kontestuar në rrethanat e rastit konkret nuk i nënshtrohet efektit suspenziv ex-lege dhe se rrjedhimisht, Gjykata, duhet të vendosë për miratimin ose refuzimin e kërkesës për masë të përkohshme. Kjo vendimmarrje, bazuar në rregullin 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese, mund të bëhet së bashku ose ndaras nga kërkesa bazë, përkatësisht vlerësimit të kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar.
Bazuar në sqarimet e mësipërme, Gjykata përmes Vendimit të saj ka vlerësuar nëse në rastin konkret janë plotësuar kushtet për vendosjen e masës së përkohshme, të cilat janë të përcaktuara me nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, nenin 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe rregullat 44 (Kërkesa për masë të përkohshme) dhe 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës. Sipas këtyre dispozitave, kërkohet, ndër tjerash, që masa e përkohshme të ndërlidhet me (i) “çështjen që është objekt i procedurës para saj [Gjykatës]”, me kushtin që pala që kërkon masë të përkohshme të dëshmojë se (ii) masa e përkohshme është e nevojshme “për t’u evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme” ose që masa e përkohshme është në “interes publik.”
Gjykata, sipas sqarimeve të shtjelluara në Vendimin që do të publikohet, duke marrë parasysh se (i) kërkesa e parashtruesve të kërkesës ka për objekt shqyrtimi “Vendimin Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ndërsa vendosja e masës së përkohshme kërkohet lidhur me vendimet e miratuara në seancën e Kuvendit të datës 13 korrik 2023, përkundër faktit që parashtruesit e kërkesës nuk i kanë kontestuar ndaras/specifikisht këto vendime para Gjykatës; (ii) parashtruesit e kërkesës nuk kanë paraqitur ndonjë dëshmi ose arsyetim se pse pezullimi i efektit të të gjitha vendimeve të Kuvendit të miratuara në seancën e 13 korrikut 2023, i kontribuon evitimit të rreziqeve apo dëmeve të pariparueshme dhe për pasojë, interesit publik; dhe (iii) duke vlerësuar dhe balancuar efektet e vendosjes ose jo të masës së përkohshme dhe pezullimit të të gjitha vendimeve të miratuara nga Kuvendi në seancën plenare të 13 korrikut 2023, në dritën e parimit të sigurisë juridike, si vlerë thelbësore e sundimit të ligjit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, Gjykata ka vendosur të refuzojë kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme ndaj aktit të kontestuar në fjalë, duke theksuar që, një vendimmarrje e tillë nuk paragjykon në asnjë mënyrë vlerësimin e Gjykatës lidhur me kërkesën bazë, përkatësisht kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar.
Vendimi i Gjykatës në fund sqaron që kjo vendimmarrje nuk ndërlidhet dhe/ose nuk afekton dy vendime të Kuvendit të miratuara në seancën plenare të 13 korrikut 2023 dhe të cilat janë kontestuar ndaras në Gjykatë nga deputetë të Kuvendit sipas autorizimeve të përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, përkatësisht (i) kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-583] për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, të regjistruar tashmë në Gjykatë si kërkesa KO 157/23; dhe (ii) kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-142 për “ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”, të regjistruar tashmë në Gjykatë si kërkesa KO 158/23.
Për më tepër, siç janë njoftuar të gjitha palët e interesuara nga Gjykata, kërkesa në rastin KO 158/23, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës dhe nenin 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, i nënshtrohet efektit suspenziv dhe rrjedhimisht, i njëjti nuk mund të prodhojë efekt juridik deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.