E papritur deri në këtë pikë, por prezenca e turistëve në Pulia në korrik ka shënuar një rënie deri në 20% krahasuar me një vit më parë. Lajmi konfirmohet nga gazeta “Corriere della Sera” e cila shkruan se në Pulia mungojnë kryesisht turistët e përvitshëm nga Campania dhe Lacio. Sipas medias italiane edhe ata nga Salento dhe Bari kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri, Greqi e Kroaci. Arsyeja? Rritja e çmimeve dhe mungesa e shërbimeve adekuate.
Sipas presidentit rajonal të Federalberghi, Francesco Caizzi, pikërisht kjo përqindje ka bërë që këtë vit të mos shënohet rekord i ri turistik.
Por nga ana tjetër shërbimi i hotelerisë nuk e pranon se ka rritur çmimet apo se ofron një shërbim të dobët. Një përfaqësues i këtij sektori shprehet për gazetën se shkak i largimit të turistëve janë temperaturat e larta në rajon.
Nga ana tjetër, kreu i Shërbimit Bregdetar Italian, Antonio Capacchione shprehet se:
“Ne prisnim një pjesëmarrje më të madhe, por nga ana tjetër turizmi ndërkombëtar po ecën mirë. Turizmi italian po vuan. Maji dhe qershori u anashkaluan për shkak të motit të keq. Në korrik, turistët nga rajonet e afërta po lëvizin shumë më pak, edhe për shkak të nxehtësisë së tepërt që perceptohet si një kërcënim. Më pas është inflacioni, si dhe një rrethanë e tretë që është nënvlerësuar nga shumëkush dhe që në vend të kësaj po ndikon në kërkesën e brendshme, përkatësisht rritjen e normave të interesit. Shumica e familjeve janë në borxhe”.
Përgatiti JavaNews / a.r