Në orët e vona të mbrëmjes së kaluar një apel në rrjetet sociale ngriti në këmbë opinionin publik. Aktorja Eni Jani Fuga, postoi në profilet e saj apelin për ndihmë për bashkëshortin, regjisorin dhe aktorin e njohur Genc Fuga, i cili po kalon një problem serioz shëndetësor.
Bashkëshortja zbuloi se Fuga ka pësuar një sulm në tru dhe për këtë, i duhet ndihma që të paguhet operacioni në një spital privat.
Ajo i kërkoi punëtorëve të RTSH të kontribuojnë me nga 200 lekë, por reagimi ka ardhur nga një grup më i madh njerëzish dhe ka sjellë ndihmën e mijëra shqiptarëve.
Në një thirrje ‘GoFund’ për vetëm dy-tre orë, është mbledhur dyfishi i shumës së kërkuar prej 19,000 eurosh.
“Nuk qenka e lehtë, por në këto momente e kam domosdoshmëri. Genci po kalon një periudhë të vështirë. Ka pësuar një goditje në tru dhe në këto momente po kryen ndërhyrje në spital, do i lutesha të gjithë punonjësve të Rtsh nëse munden dhe kush mundet të ofrojë një kontribut prej 200 lekë të rinj për të pasur mundësinë të kem shumën 19 mijë euro të operacionit. Ndjesë dhe konsideratë….”, shkruante aktorja.
Thirrjes i janë bashkëngjitur shumë personazhe publike. Teksa pas përmbushjes së shumë së plotë, përmes një postimi, Eni ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan.
“Falënderoj çdonjërin nga ju për suportin dhe mbështetjen, për çdo fjalë dhe kontribut. Shuma u sigurua. Faleminderit nga zemra përsëri!”, është shprehur ajo.