Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka paralajmëruar ndryshime ligjore për “policët e papërgjegjshëm” që shkelin ligjin, duke sjellë pasoja të rënda të qytetarët. Në takimin që pati me strukturat e Policisë në Gjirokastër, Balla tha se shumë shpejt do të nisë puna për të ndryshuar ligjin.
“Eficenca e punës së Policisë nuk varet nga forca e policit, por nga forca e ligjit. Policia duhet të jetë më shumë vetëkorrigjuese dhe duhet të perceptohet vetëm dhe vetëm si simbol i ligjshmërisë. Polici duhet të jetë një model, një referencë për qytetarët. Në çdo rast shkelja e ligjit ka pasoja të rënda për shoqërinë, por kur ligjet shkelen nga policët, pasojat janë shumëfish më të rënda. Kjo trondit besimin publik jo thjesht te policia, por te shteti dhe ligji. Mirëpo, këto përmirësime në vizionin dhe misionin e Policisë nuk realizohet thjesht sepse i kërkoj unë apo i mbështesin qytetarët. Ato kërkojnë edhe një mbështetje ligjore dhe ne do të fillojmë të punojmë për këtë”, tha Balla.
Jo më larg se pak ditë më parë, operacioni i SPAK zbuloi se si zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit ishin pjesë e botës së krimit.
/f.stafa