Nga Besnik Bakiu
Muaji korrik është muaj i pagëzimit të shteteve shqiptare. Më 29 korrikut 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër, njohu “de jure” shtetin shqiptar të shpallur të pavarur më 28 nëntor 1912, si “…principatë autonome, sovrane … nën garancinë e të gjashtë Fuqive”, kurse më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e quajti të ligjshëm Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës të 17 shkurtit 2008 dhe deklaroi se: “nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare e as rezolutën 1244, si dhe as Kornizën kushtetuese të UNMIK-ut”, por është në përputhje të plotë me to. Me këtë vendim GJND (organ gjyqësor i OKB) vërtetoj kufijtë dhe shtetësinë e Kosovës.
Pagëzimi si proces është sakramenti i parë i krishterimit, me anë të cilit një besimtar i kësaj feje pranohet në gjirin e saj. Në rastin e Kosovës 10 nga gjyqtarët/kumbarë ishin dakord me pagëzimin e shtetit më të ri, kurse 4 (nga: Rusia, Sllovakia, Maroku, Sierra Leone) ishin kundër. Në rastin e Shqipërisë, kumbarët e pagëzimit të shtetit/foshnje Shqipërisë, në kundërshtim me parimet dhe qëllimet e pagëzimit, në vend që ti prisnin flokët, synonin ti prisnin gjymtyrët, ta copëtonin dhe vdisnin këtë foshnje/shtet. Ishin këto padrejtësi ulëritëse, që detyruan Imzot At Gjergj Fishtën të akuzoj: “Uh! Evropë, ti kurva e motit!/Që i re mohit, besës së Zotit!/Po, á ky asht sheji i qytetnisë?/Me da token e Shqypnisë”.
Për vendimin e GJND të 22 korrik 2010 të gjithë jemi dakord dhe mirënjohës, kurse për rëndësinë dhe pasojat e vendimit të 29 korrikut 1913, historiografia shqiptare vazhdon të jetë në dilemë edhe sot e kësaj dite.
Me gjithë kufizimet e mëdha të këtij vendimi (legalizoi faktin që shqiptarët të ishin i vetmi popull në rruzullin tokësor që kufizohej me vetveten), ai pati një rëndësi të veçantë për fatet e Shqipërisë, pasi edhe pse territori dhe popullsia shqiptare u copëtuan rëndë e në shifra të frikshme, përsëri arriti të mbijetojë.
Para kësaj konference popullsia shqiptare jetonte e ndarë në katër vilajete, dy prej të cilave veç e veç ishin më të mëdha se Shqipëria e sotme, kurse dy të tjerat ishin gati sa ajo e sotmja. Respektivisht vilajeti i Kosovës kishte një sipërfaqe prej 32.000 km2, ai i Shkodrës mbulonte një hapësirë prej 10.987 km2 , i Manastirit ishte plot 28.500 km2 , kurse i Janinës shtrihej me 17.900 km2. Sipas llogaritjeve të burimeve osmane, popullsia e Shqipërisë në prag të Luftës Ballkanike numëronte afërsisht 3 milion banorë shqiptarë. Me anë të këtij vendimi u ligjërua copëtimi i Shqipërisë, duke i dhënë Serbisë 34.000 km2 me 1.090.000 banorë, Greqisë 10.794 km2 me 425.000 banorë dhe Malit të Zi 7.000 km2 me 260.000 banorë.
Tragjedia shqiptare dhe padrejtësitë e Evropës ndaj nesh, kishin kohë që kishin filluar dhe vazhduan edhe pas këtij vendimi. Ato u luajtën në disa akte:
Akti i parë i kësaj tragjedie u luajt në 3 mars 1878, në Shën Stefan afër Stambollit, ku filloi “të zbatohej koncepti politik i zgjidhjes së çështjes shqiptare përmes copëtimit” dhe “spastrimi etnik i shqiptarëve prej trojeve që pushtojnë fqinjët ballkanikë”. Akti i dytë u luajt në Kongresin e Berlinit (13 qershor 1878) ku Shqipëria u trajtua si term gjeografik, ndërsa viset e banuara me shqiptarë u ndanë ndërmjet shteteve fqinje. Akti i tretë do të luhej 34 vjet më vonë, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, që përfundoi me vendimin e 29 korrikut. Akti i katërt do të rikthente përsëri këtë rrezik me Traktatin e Fshehtë të Londrës në prill 1915, ku vazhdoj copëtimi i mëtejshëm i Shqipërisë, madje u projektua zhdukja e saj nga harta politike. Akti final u luajt pas përfundimit të Luftës së I-rë Botërore në Konferencën e Paqes në Paris dhe përfundoi me nënshkrimin e protokolleve përfundimtare të caktimit të kufirit me Greqinë (27 janar 1925) dhe Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene (26 korrik 1926).
Por të rikthehemi te vendimi i 29 korrikut i cili nuk kishte si qëllimi zgjidhjen e çështjes shqiptare, por shmangien e kontradiktave të Fuqive të Mëdha, të cilat ishin të ndara, në dy blloqe antagoniste: Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia ishin bashkuar prej kohësh në Trepalëshin, kurse Anglia, Franca dhe Rusia kishin formuar Antantën.
Megjithëse shqiptarët kishin shpallur pavarësinë, kjo nuk ishte e mjaftueshme, pasi Shqipëria ishte bërë pika e kryqëzimit, jo vetëm e lakmive të Fuqive të Mëdha evropiane, por edhe të orekseve shoviniste të shteteve Ballkanike.
Për ta bërë më të lehtë punën e tyre antishqiptare, organizatorët e kësaj konference nuk e ftuan popullin shqiptar të dërgonte përfaqësuesit e tij në këtë forum më rendësi jetike për të. Kjo ishte një padrejtësi që i bëhej popullit tonë, por megjithatë roli dhe presioni i popullit shqiptar, ndikoj qenësisht në marrjen e këtyre vendimeve nga ana e tyre.
Aq e padrejtë ka qenë kjo konferencë, sa mjafton të kujtosh atë që shkruante Ministri amerikan në Greqi në atë kohë si: “një mrekulli e paaftësisë”, “një skemë absolutisht të papajtueshme”, “një lëmsh gjërash të paqëndrueshme”.
Konferenca në ditën e parë të saj më 17 dhjetor 1912, mori në shqyrtim çështjen shqiptare, për të cilën u ra dakord nga të gjitha palët, të diskutohej në tre aspekte: “statusi i Shqipërisë, organizimi i shtetit Shqiptar dhe caktimi i kufijve”. Në shtypin e kohës doli një komunikatë e ambasadorëve, në të cilën thuhej se qeveritë e fuqive të mëdha “kishin pranuar parimin e autonomisë shqiptare”. Ky ishte një hap prapa në krahasim me vendimin e pavarësisë së Kuvendit Vlorës, pasi e linte Shqipërinë ende në kuadrin e Perandorisë Turke.
Përdorimi i dy termave: “nën sovranitetin ose suzerenitetin e sulltanit”, nuk ka qenë i rastit, por ka pasqyruar ndryshimet substanciale në qëndrimin e tyre, për shkallën e pavarësisë së Shqipërisë. Qeveria ruse mbronte tezën se “Shqipëria duhej të ishte një provincë autonome e Perandorisë turke, me disa të drejta për një organizim të veçantë, por gjithmonë brenda kuadrit të Perandorisë, (sovraniteti i sulltanit)”. Qeveria Austo-Hungareze e kundërshtonte dhe ishte për një “Shqipëri autonome ose të pavarur e me kufij sa më të gjerë”. Shumica ranë dakord për një zgjidhje kompromisi: organizimi i një shteti shqiptar me njëfarë autonomie të brendshme.
Kjo ishte sigurisht diçka e re, por nuk ishte pavarësi, pasi shteti shqiptar shpallej si shtet vasal ose autonom dhe njihte autoritetin suprem të sulltanit. Sipas të drejtës ndërkombëtare, një shtet i tillë nuk merr pjesë vetë në marrëdhëniet ndërkombëtare, por përfaqësohet nga shteti suzeren.
Debatet vazhduan gjatë dhe në fund Konferenca ngarkoi Austro-Hungarinë dhe Italinë për hartimin e një projekti mbi organizimin e shtetit shqiptar autonom. Ky projekt u paraqit prej tyre në mbledhjen e Konferencës më 8 maj 1913. Ai ishte në frymën e vendimit të 17 dhjetorit dhe kishte në bazën e vet: autonominë e Shqipërisë dhe vartësinë e saj nga Turqia, neutralitetin e saj, sigurimi i rendit dhe qetësisë nga një xhandarmëri e organizuar nga ndërkombëtarët, etj. Në këtë mbledhje ambasadori i Austro-Hungarisë Mensdorf, kërkoi njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Ai solli si argument kryesor faktin se si rezultat i disfatës në luftë “nuk kishte asnjë lidhje territoriale midis Shqipërisë dhe Turqisë evropiane”. Me këtë pikëpamje u bashkua dhe ambasadori i Italisë Imperiali. Propozimi hasi menjëherë në kundërshtimin e përfaqësuesit të qeverisë cariste, që kërkonte të ruante sadopak lidhjet e vartësisë së Shqipërisë nga Turqia, pasi “Një Shqipëri pa lidhje vartësie nga Turqia do të kthehej shpejt në një çiflig të Austrisë”. Kujdesi kryesor i qeverisë ruse ishte që Serbia të ruante shpresën për t’u shtrirë më vonë deri në Adriatik, e cila mund të realizohej vetëm nëse Shqipëria do të vazhdonte të qëndronte brenda kuadrit të Perandorisë turke.
Por koha punonte për Shqipërinë dhe pavarësia ishte rrugë pa kthim, pasi me Traktatin e Paqes të 30 majit 1913, Turqia si shtet humbës i luftës nuk kishte më asnjë të drejtë me shtetet e tjera, pra edhe me Shqipërinë. Ky është akti i parë ndërmjet të cilit Turqia hiqte dorë zyrtarisht nga të drejtat sovrane mbi Shqipërinë dhe njihte kompetencën e Fuqive të Mëdha për t’a zgjidhur çështjen shqiptare. Ky traktat detyronte njëkohësisht vendet fqinjë të pajtoheshin me ekzistencën e një shteti më vete (Shqipëria), sipas vendimeve që do të merrnin Fuqitë e Mëdha. Akti i 30 majit 1913, është akti i parë ndërkombëtar që shprehet për një shtet shqiptar më vete, pavarësisht se jo drejtpërdrejtë.
Përfundimi i gjithë kësaj maratone diplomatike vjen më 29 korrik 1913, ku Konferenca e Ambasadorëve në vendimin përfundimtar shprehet në nenin 1: “Shqipëria formohet si një principatë autonome, sovrane dhe e trashëgueshme … nën garancinë e gjashtë Fuqive”.
Duke analizuar debatet, përplasjet, koherencën dhe inkoherencën e qëndrimeve të këtyre Fuqive të Mëdha në këtë konferencë, konstatohet se:
1. Trajtimi i problemit të kufirit të shtetit të ri shqiptar nuk u mbështet në parimet bazë demokratike që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, si ato etnografike, historike, ekonomike etj, por u bë nën prizmin e mos prishjes së “Koncertit Evropian”. E drejta e Serbisë mbi Kosovën dhe e Greqisë mbi Çamërinë dhe territoret e tjera shqiptare në jug-lindje, ishin rezultat i fitimit të këtyre territoreve si plaçkë lufte.
2. Veprimtaria e shteteve ballkanike dhe e Fuqive të Mëdha në realizimin e këtij vendimi, u ndihmua nga gjendja në të cilën ndodhej shoqëria shqiptare e asaj kohe. Pushtimi pesëshekullor otoman kishte konservuar mentalitetin mesjetar. Shqipëria vuante mospasjen e një grupimi shoqëror të emancipuar, vuante nga ekzistenca e një klase bejlerësh “Dumbabistë”, që e kishte pak të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare dhe rendte ende me fantazmat e ruajtjes së çifligjeve personale të dhuruara. Forcat e emancipuara liberale e pro-evropiane të shoqërisë shqiptare ishin minorancë gati të pafuqishme për të ndërmarrë nisma që thyenin tabutë konservative të një shoqërie të sapodalë në liri.
3. Çështja e Shqipërisë u zgjidh pa respektin më të vogël ndaj shqiptarëve, si dhe kufiri i shtetit të ri shqiptar u përcaktua vetëm nën prizmin e shmangies së një ballafaqimi mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë, për të cilin shqiptarët nuk ishin fajtorë dhe nuk kishin të bënin fare me të.
4. Kjo Konferencë, e mbledhur me cilësinë e “Mbledhjes së Ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha nënshkruese të Traktatit të Berlinit” (1878) nuk kishte të drejtën (sipas të drejtës ndërkombëtare) të merrte vendime për të tretët dhe të nxirrte akte. Konferenca kishte vetëm kompetenca këshillimore dhe konsultative. Vetë pjesëtarët e saj pohojnë këtë fakt: “…as Sër Grei dhe as ambasadorët nuk kanë pretenduar kurrë të marrin vendime, tek e fundit nuk do të kishin asnjë vlerë, sepse do të vareshin nga pëlqimet e qeverive”, i shkruante ambasadori francez P. Kamboni Ministrisë Jashtme Franceze dhe më tej vazhdonte se “këto janë vetëm propozime dhe sugjerime që mund të shërbejnë si bazë për bisedime”.
Pra si konkluzion mund të themi se: qëndrimi i Fuqive të Mëdha të asaj kohe ishte i padrejtë, antishqiptar dhe kriminal.
Tani pas 110 viteve koha punon për shqiptarët, të cilët janë bërë faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon. Është krijuar një entitet i ri në Ballkan “Republika e Kosovës”; në Maqedoninë e Veriut jemi etnitet kushtetues me 30% të popullsisë; po ashtu dhe në Malin e Zi; shqiptarët e Preshevës, Medvegjës, Bujanocit përfaqësohen me deputet në Parlamentin e Serbisë. Çështja çame nga “tabu”, është kthyer në tryezën e bisedimeve ndërkombëtare.
Lut Zotin që edhe ne shqiptarët të punojmë për shqiptarët, pasi ngjarjet e 13 korrikut 2023 (dhe jo vetëm), në të dy parlamentet shqiptare (të Shqipërisë dhe Kosovës), ishin faqe e zezë e shqiptarisë, dukej sikur të kishin të njëjtë regji antishqiptare. Parlamentet mu dukën si arenë gladiatorësh në Romën e lashtë. Duke parë këto pamje mu rikujtua përsëri Imzot At Gjergj Fishta, kur me trishtim thoshte se: “Shqiptarët janë ashtu sikundër i do hasmi”.
Në këtë shkrim nuk mund të mos përmend habinë që më ka shkaktuar qëndrimi i sotëm asimetrik dhe me dy standarde i perëndimit në negociatat Kosovë-Serbi: ashpërsia dhe ndëshkimi ndaj politikës kosovare dhe toleranca absurde e falja ndaj Serbisë dhe Presidentit Vuçiç (ishministrit të informacionit të Millosheviçit në 1998, në kohën më të egër të gjenocidit serb në Kosovë), i cili akoma nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, nuk ka nënshkruar Marrëveshjen Themelore të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe Aneksin e saj të Ohrit (18 mars 2023), madje edhe kur ai fyen të pesë shtetet e Quintit, (SHBA, Francë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Itali) duke i thënë: “Turp të kini të gjithë! I gjithë Quinti, të gjithë ata janë gënjeshtarë!”. Nuk besoj se kanë harruar kur në 23 prill 1999, etiketoi Bill Klinton dhe Toni Blerin si “kriminel dhe bisha më të mëdha” se Hitleri.
Zot më mbaj mendjen.
Kësaj habie i shtohet edhe fakti i “rastësisë” që të tre negociatorët dhe raportuesit për negociatat Kosovë-Serbi, janë përzgjedhur nga 3 vendet në 5 të BE , të cilët nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës (kryenegociatori Borrell-ish ministër i qeverisë spanjolle, negociatori Lajçak-ish ministri i jashtëm i Sllovakisë, raportuesja Bagojanis-ish ministre e jashtme e Greqisë)!!??
Ndaj kujdes! Sot Kosova martire është në një moment historik, duhet që politikanët, që kemi zgjedhur, të lënë mënjanë gërr-vërret personale dhe të merren vesh mes vedi (të paktën për çështjen kombëtare), të kenë mençurinë, dinjitetin, lojalitetin, këmbënguljen për zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të saj.
Kombit tonë sot i janë hapur mundësitë, për ta bashkuar mëmëdheun e tyre me Evropën e vlerave demokratike. Perëndimi duke pranuar këtë aspiratë shqiptare, do të amnistoj vetveten dhe do të korrigjoj padrejtësitë që ka bërë ndaj një prej popujve më të vjetër e më të vuajtur të Evropës.
Është detyrë e klasës politike shqiptare në të gjitha trojet shqiptare, ta shfrytëzojnë këtë moment/fat, për të shlyer borxhin, siç thotë edhe miku im poeti i madh Xhevahir Spahiu “i kam borxh vitit 13, që s’i mbylla plagët”, duke hartuar politika të përbashkëta integruese në të gjitha fushat dhe jo siç kanë tentuar të veprojmë në jo pak raste deri tani, si me marrëveshjen e detit me Greqinë, kufirin Kosovë-Mali i Zi, veriun e Kosovës, deshqiptarizimi i qyteteve historikisht me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, penalizmi i drejtuesve/heronj të UÇK-së në Hagë, me aktakuza të hartuara në Beograd nga ata që kryen gjenocidin në Kosovë, etj, etj.
Zoti na ndihmoftë!