AAK kërkon mbështetjen e partive opozitare për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u bëri thirrje partive tjera opozitare që të mbështesin një mocion te kësaj partie për rrëzimin e qeverisë për shkak të siç tha prishjes, së marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë dhe mospërfshirjen e veteranëve në ligjin për pagën minimale.
Ai i bëri këto komente pas takimit që zhvilloi me përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, për të diskutuar ligjin për pagën minimale dhe qasjen e qeverisë ndaj aleatëve perëndimorë.
Zoti Haradinaj tha se qeveria është duke bërë disa gabime që janë shumë të rrezikshme.
“Mendoj që politika e Kosovës veçanërisht sipas meje po flas në këtë rast e përfaqësuar prej qeverisë së Kurtit dhe Albin Kurti i ka ngul thikë pas shpine dy vlerave tona më sublime që i kemi. Dhe nuk po e filloj me të parën për vendin, por po e filloj me thikën pas shpine besimit të krijuar që nga koha e luftës për liri mes shqiptarëve dhe NATO-s të prirë prej Amerikës”, tha ai.
Takimi i organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është pjesë e veprimeve që opozita ka paralajmëruar për të kundërshtuar qasjen e qeverisë ndaj krizës në veri. Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët.
Zoti Haradinaj tha se e vetmja zgjidhje për vendin aktualisht është shkarkimi i qeverisë aktuale.
“Po kërkojmë ndihmën e partive tjera opozitare dhe shpresojmë që ta kemi, po kërkojmë ndihmën e veteranëve tjerë që janë në grupin e Vetëvendosjes”, tha ai.
Ai tha se sjellja e kryeministrit Albin Kurti ndaj veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është jonjerëzore, jokombëtare dhe joshtetërore.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, dorëzoi të premten në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për pagën minimale, i cili ngjalli shumë reagime pas miratimit të tij dy javë më parë parlament.
Ligji për pagën minimale parasheh rritjen e saj në 264 euro, nga 130 deri në 170 sa është aktualisht ndërsa nuk përfshinë kategoritë e dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zyra e presidencës së Kosovës ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani nuk do ta nënshkruaj Ligjin për pagën minimale pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Kryetari i shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Jashari tha se do të vazhdojnë kundërshtimet ndaj vendimeve të qeverisë për pagën minimale.
“Vendimet e fundit të kësaj qeverie që përmes deputetëve që i ka në parlament në atë situatë që merren ato vendime mendoj që kanë bërë një tradhti të madhe edhe ndaj shtetit, ka bërë jë tradhti të madhe edhe ndaj institucioneve por gjithsesi ka bërë një tradhti ndaj kësa kategorie pra ndaj veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha zoti Jashari.
Qeveria e Kosovës ka thënë se me Ligjin e ri për pagën minimale parashihet ndryshimi i Ligjit për veteranët, në mënyrë që, siç thonë, “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve qeveria e Kosovës, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj”.
Ligji për pagën minimale u miratua pa praninë e opozitës në fund të një dite përleshjesh fizike në parlament që nxitën shqetësime për thellimin e përçarjeve politike në një kohë kur Kosova po përballet me një nga krizat më të thella në marrëdhëniet e saj me aleatët ndërkombëtarë për shkak të situatës në veri të Kosovës./VOA